January 25, 2022

Policia ndalon 8 emigrantë dhe arreston dy persona brenda javës në Dibër

Shpërndaje lajmin

Në përpjekje për t’i ikur kontrolleve policore transportuesit e emigrantëve po shfrytëzojnë kalimin nga Dibra. Dy transportues u ndaluan brenda pesë ditëve në Peshkopi, bashkë me tetë emigrantë që tentonin të kalonin në Kosovë.

Makina dhe sende të tjera të bllokuar nga policia. Foto:Policia e Shtetit

Tetë emigrantë u ndaluan nga policia në Dibër dhe dy transportues u arrestuan më 10 dhe 15 dhjetorë. Policia bëri me dije se makinat ishin me destinacion Morinën, por kanë shmangur autostradën me qëllim shmangien e kontrolleve të policisë.

Këtë të enjte në Dibër policia bëri me dije se ka goditur një rast të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. Në njoftimin e shpërndarë për mediat bëhet me dije se është arrestuar një 27-vjeçar me iniciale N. K., banues në Fushë-Krujë.

“Ky shtetas është kapur nga shërbimet e policisë, në dalje të qytetit të Peshkopisë, në drejtim të Kukësit me mjetin tip ‘Jeep’, duke transportuar 5 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishte premtuar kalimin në pikën e kalimit kufitar të Morinës, me destinacion më pas drejt vendeve të BE-së.”,  thuhet në njoftimin e DVP Dibër.

Në cilësinë e provës janë sekuestruar edhe një shumë parash në euro, disa telefona celularë dhe automjeti që drejtohej nga 27-vjeçari.

Ndërkohë të premten e 10 dhjetorit, policia në Dibër arrestoi edhe një 21-vjeçar me iniciale S. K., nën akuzën e dhënies së ndihmës në kalimit të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit.

“Shtetasi i mësipërm është kapur nga shërbimet e policisë, në dalje të qytetit të Peshkopisë, me mjetin tip ‘Ford’, duke transportuar 3 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishte premtuar kalimin në pikën e kalimit kufitar të Morinës, me destinacion më pas drejt vendeve të BE-së.”,  thuhet në njoftimin e DVP Dibër.

Prej vitit 2018, fluksi i emigrantëve të parregullt të ndaluar në Shqipëri është rritur në mënyrë eksponenciale, duke e kthyer vendin në një korridor të rëndësishëm të lëvizjes së emigrantë drejt vendeve të BE-së.

Gjatë 10 muajve të parë të vitit 2021, Policia Kufitare e Kosovës ka riatdhesuar në Shqipëri më shumë se 1530 emigrantë nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, të cilët janë ndaluar pasi kanë kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin.

Ndërkohë referuar të dhënave të Ministrisë së Brendshme, në Shqipëri për 10 muajt e vitit 2021 janë shënuar 14,013 emigrantë të huaj të parregullt. Përgjatë periudhës Tetor 2017-2021 numri mesatar i emigrantëve të huaj të parregullt të kapur në vend është 1,272 persona.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *