January 25, 2022

Policia procedon penalisht 17 të dyshuar për krime mjedisore

Shpërndaje lajmin

Në katër aksione kundër krimeve mjedisore në Lezhë e Kurbin policia procedoi penalisht 17 persona, të akuzuar për vjedhje dhe shpërdorim toke. 7 ndër të proceduarit po grumbullonin inerte në lumin Mat.

Ura e Zogut mbi Lumin Mat. Foto: Elvis Hila

Policia e Lezhës njoftoi të premten se kishte nisur procedim penal për 17 persona të akuzuar për krime mjedisore, konkretisht vjedhje në bashkëpunim dhe shpërdorim toke. Policia tha se organizoi aksionet në disa pika brenda qarkut, nga një pjesë e rrjedhës së matit në të cilën po merreshin inerte, në Fushë Mamurra, Sakë në Ishull Shëngjin dhe në Balldre.

Policia njoftoi se në Skuraj të Kurbinit ishin ndaluar dhe proceduar E. L., 47 vjeç, K. Ll., 50 vjeç, I. L., 41 vjeç, Xh. Z., 37 vjeç, A. A., 33 vjeç, A. P., 49 vjeç dhe F. V., 26 vjeç, banues në Tiranë, Durrës dhe Kurbin.

Të proceduarit sipas policisë ishin punonjës të një kompanie inertesh dhe janë kapur nga shërbimet duke marrë inerte me kamionë, në shtratin e lumit Mat. “Nga shërbimet e policisë u sekuestrimi i një ekskavatori dhe i 3 kamionëve që shërbenin për marrjen e inerteve”, thuhet në komunikatë.

Po të premten në një proces të kundërt me të parin specialistët për hetimin e krimeve në Lezhë proceduan penalisht tre persona të cilët po grumbullonin materiale inerte në lagjen “Sakë ” Ishull Shëngjin. Policia tha se hedhja e inerteve në këtë zonë bëhej me qëllim përfitimin e tokës nga laguna. Të proceduarit janë Xh. K., 45 vjeç, nga Tirana, Ç. T., 48 vjeç, nga Lezha dhe D. B., 35 vjeç, nga Fushë Kruja.

Për të njëjtën vepër penale u proceduan edhe dy gra që janë konstatuar duke hedhur me karroca materiale inerte në një sipërfaqe toke në Sakë, Ishull Shëngjin.

Ndërkohë në Balldre dhe Fushë Mamurras në dy aksione të ndryshme policia procedoi penalisht 5 persona të akuzuar për ndërtim pa leje.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *