Porosia e ministres së Jashtme të Gjermanisë për perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në BE
Ministrja e punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka dhënë porosinë e saj, të qartë për perspektivën e anëtarësimit të Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Bosnjës dhe Serbisë në Bashkim Evropian.
Para fillimit të takimit të shefave të diplomacisë së 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që po mbahet në Bruksel, Baerbock ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së gjashtë ministrave të jashtëm nga perëndimi i Ballkanit të cilët do takohen me evropianët, në një sesion pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, shkruan albinfo.ch.
“Oferta e paqes dhe sigurisë në Bashkimin Evropian është mburoja mbrojtëse më e rëndësishme tani edhe për partnerët dhe miqtë tanë në Ballkanin Perëndimor. Prandaj është kaq qendrore ,që ne në këto kohëra ta kuptojmë që zgjerimi është një çështje gjeopolitike, dhe që për paqe e siguri në Evropë, nuk duhet të ketë ‘zona gri’. Me vjen mirë që sot ministrat e ministret e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, sërish janë në takim me ne”, tha Baerbock.
Ndryshe, ajo ka shtuar se Bashkimi Evropian forcohet me zgjerimin që pritet të bëhet me shtete të reja anëtare.