Prindërit e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, shkojnë për vizitë në Hagë, deklarohet babai i tij
Prindërit e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kanë shkuar sot për vizitë në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë, ku janë takuar me djalin e tyre.
Kjo është hera e parë, pas dy vjetësh që ata kanë shkuar për vizitë, teksa pas takimit është deklaruar babai i tij, Haxhi Thaçi, i cili u shpreh i lumtur që e pa sërish djalin e tij, teksa uroi që ai dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së të kthehen sa më parë në Kosovë.
“Jemi të lumtur që na u dha rasti me ardhë, me pa djalin tonë, Hashimin. Na ka marrë malli për të. Na merr malli, se jemi mësu me pa shpesh. Na mungon djali. Na mungojnë krejt shokët e tij. I mungojnë venit, Kosovës. I presim na familja me u kthy sa më shpejt, i pret krejt shqiptaria. Ata e kanë venin n’Kosovë, e jo këtu”, ka deklaruar ai, transmeton albinfo.ch.
Ndryshe, vitin e kaluar Hashim Thaçi ishte lejuar të shkonte për vizitë në Kosovë që t’i vizitonte prindërit e tij për disa orë, pas përkeqësimit të gjendjes së nënës së tij.