September 25, 2021

Prindërit e Roman Protasevich kërkon sanksione më të ashpra kundër Lukashenkos

Shpërndaje lajmin

Prindërit e bashkë-themeluesit të burgosur të NEXTA Roman Protasevich, si dhe kolegu i tij Stsiapan Putsila, u bënë thirrje qeverive perëndimore të marrin masa të mëtejshme kundër Bjellorusisë.

Prindërit e Roman Protasevich gjatë konferencës për shtyp më 27 maj 2021.

Prindërit e gazetarit bjellorus Roman Protasevich dhe shokut të tij themelues të NEXTA Stsiapan Putsila u bënë thirrje qeverive perëndimore në një konferencë për shtyp të organizuar në Shtëpinë Bjelloruse në Varshavë për të rritur përpjekjet për të shpëtuar jetën e 26-vjeçarit të burgosur.

“Shpresoj se po e dëgjoni thirrjen e zemrës time”, tha Natalia Protasevich, nëna e Roman-it. Duke iu drejtuar gazetarëve në dhomë, ajo tha: “Unë dua që ju t’ia përcillni kërkesën time liderëve botërorë, të BE-së dhe SHBA-së. Ju lutem, na ndihmoni të lirojmë djalin tim.”

Protasevich po përballet me dënimin me vdekje në Bjellorusi nëse akuzohet për terrorizëm pasi autoritetet atje përdorën një mashtrim për bombë dhe një avion luftarak MiG-29 për të detyruar një avion që udhëtonte nga Athina në Vilnius, pak para se të largohej nga hapësira ajrore bjelloruse, në mënyrë që të kapte Protasevich-in i cili ishte pasagjer në fluturim.

Gjatë një takimi të mëhershëm këtë javë në Bruksel, udhëheqësit e BE-së vendosën të ndalojnë linjat ajrore bjelloruse të fluturojnë mbi qiellin e BE-së dhe premtuan sanksione të mëtejshme ekonomike kundër regjimit të diktatorit Aleksandër Lukashenko. Sanksionet e reja të BE-së pritet të miratohen gjatë një takimi të Këshillit në gjysmën e dytë të qershorit, duke përfshirë ndoshta edhe kundër industrisë së potasiumit, një shtyllë kryesore e ekonomisë bjelloruse.

“Ne po kërkojmë sanksione dhe presion të mëtejshëm mbi regjimin, sepse Lukashenko i druhet vetëm forcës”, tha Putsila, i cili së bashku me Protasevich themeluan kanalin Telegram NEXTA, i cili ka qenë një ferrë në sytë e regjimit të Lukashenkos që nga zgjedhjet e diskutueshme presidenciale të vitit 2020. “Ne kërkojmë sanksione individuale, sanksione ekonomike dhe sanksione kundër ndërmarrjes shtetërore që eksporton potasium në Bashkimin Evropian.”

“Ka shumë gjasa që Roman në këto momente të jetë duke u torturuar. Këtë mund ta vini re nga videoja e publikuar nga autoritetet bjelloruse”, tha Putsila, duke shtuar se opozita në bjellorusi është përballur me “shtypje të paparë”,  duke cituar vdekjen në paraburgim javën e kaluar të aktivistit të opozitës Vitold Ashurak, arrestime të gazetarëve nga portali tut.by, dhe dënime me burg të gjatë dhënë aktivistëve ditët e fundit.

“Ata na thonë se Roman është me fat, se do të na vrisnin në rrugët e Varshavës”, tha Putsila kur u pyet nëse ai, prindërit e Protasevich dhe aktivistë të tjerë në mërgim ndihen të kërcënuar. Ai tha se ata kanë kërkuar mbrojtje nga BE-ja dhe Polonia. Ndryshe nga Protasevich, Putsila mori statusin e mbrojtur në Poloni vitin e kaluar. Prindërit e Protasevich kanë qëndruar në vend për muaj me radhë.

Babai, Dmitri, tha se ata kishin vendosur të largoheshin nga Bjellorusia pasi ai u takua me një agjent të KBG-së bjelloruse dhe “e kuptoi që qeveria nuk do të ndalet para asgjëje”. Ai tha se KGB-ja kishte ushtruar presion mbi familjen që ajo ta bindte Roman-in të ndalonte aktivitetet e tij opozitare jashtë vendit.

Prindërit thanë se nuk kishin ide se ku ndodhet aktualisht Roman, dhe as ata ose avokati i tyre nuk kanë ndonjë kontakt të drejtpërdrejtë me të.

Ata gjithashtu iu përgjigjën pretendimeve që janë shfaqur gjatë javës se kur ishte 19 vjeç, Roman u bashkua (ndoshta edhe si një luftëtar) me Batalionin neo-nazist Azov që luftonte në Donbass kundër separatistëve pro-rusë. “Që kur ishte 15 vjeç, ai donte të ishte korrespondent lufte dhe të ishte në vendet më të rrezikshme në botë”, tha Dmitry Protaseivch për djalin e tij. “Arma e tij e vetme ishte fjala.”

Prindërit thanë se informacionet rreth djalit të tyre që ai ishte bashkuar në Batalionin Azov ishin një “lajm i rremë” dhe pjesë e një përpjekjeje për të “diskredituar” djalin e tyre.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *