Produktet e kompanive nga Kosova promovohen në SHBA

0
Shpërndaje lajmin

Raportohet se tetë kompani nga Kosova, me përkrahjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përkatësisht Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), nga data 24 qershor po marrin pjesë në panairin “Summer Fancy Food Show 2023”, që po mbahet në New York të SHBA-së, përcjell albinfo.ch.
Në hapësirën prej 72 m2, të cilën e ka siguruar MINT/KIESA, kompanitë nga vendi ynë: CAMEL, EGI GROUP, ERC TRADE, FRESH CO, FRUTEX LLC, HAPPY, ROYAL PAPER CUPS dhe STONECASTLE WINE, po i promovojnë produktet e tyre para pjesëmarrësve të shumtë në këtë panair.
Vizitorët po njoftohen për së afërmi me produktet e kompanive tona, siç janë: çokollata të llojeve të ndryshme, prodhime konditorike, lloje të ndryshme të biskotave, shpageta, makarona, brumëra të ndryshëm, pije joalkoolike etj.
Gjatë panairit përfaqësuesit e kompanive kosovare po zhvillojnë edhe kontakte me pjesëmarrës dhe blerës potencial me qëllim të krijimit të bashkëpunimit, rritjes së prodhimit dhe të eksportit.
“Summer Fancy Food Show 2023”, njihet si një ndër panairet më të mëdhenjë në SHBA i dedikuar ekskluzivisht për ushqimet dhe pijet e specializuara.
SHBA është një ndër partnerët kryesorë të Kosovës, si në fushën e IHD-ve, ashtu edhe në fushën e shkëmbimeve tregtare.
Bazuar në të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës, IHD-të nga SHBA gjatë vitit 2021 ishin 63.7 milionë euro dhe në vitin 2022 kishte rritje për 46% duke arritur vlerën prej 93 milionë euro.
Eksporti i mallrave të Kosovës në SHBA në vitin 2021 ishte 123.5 milionë euro dhe në vitin 2022 kishte rritje prej 10.52%  apo duke arritur vlerën prej 136.5 milionë euro. Kurse importi nga SHBA në Kosovë gjatë vitit 2021 ishte në vlerë 94 milionë euro, duke shënuar ulje në 72 milionë euro në vitin 2022.
Panairi “Summer Fancy Food Show 2023” mbahet në: Location in Level 3–167, 169, 171, 173, 175, 177, 179 dhe 181- International Pavilion in Javits Center, 655 West 34th Street, Manhattan, New York City 10014, SHBA, dhe është i hapur deri më 27 qershor 2023.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *