September 25, 2021

Prokuroria e Lezhës dërgon në gjyq policin e akuzuar se ngacmoi seksualisht të miturën

Shpërndaje lajmin

Prokuroria e Lezhës njoftoi se kishte dërguar për gjykim çështjen ndaj një punonjësi të policisë të akuzuar për ngacmim seksual ndaj një vajzë 13-vjeçare.

Gjykata e Lezhës. Foto:Elvis Hila.

Prokuroria e Lezhës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim çështjen në ngarkim të ish-efektivit të policisë Kol Kola, i cili u arrestua në muajin maj të këtij viti për ngacmim seksual të një vajze të mitur 13-vjeçare.

Ndaj 62-vjeçarit i cili vijon të jetë me masën e sigurisë “arrest në burg” janë ngrituar akuzat “Ngacmim seksual” dhe “Kryerja e veprimeve ose dhënia e urdhrave arbitrare”.

Gjatë hetimeve organi i akuzës thotë se ka arritur të provojë se Kol Kola me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet pranë Komisariatit të Policisë Lezhë, “duke keqpërdorur atributet që i jep detyra funksionale, nëpërmjet mashtrimit se do ta shoqëronte në Komisariatin e Policisë, e ka marrë të miturën në makinë dhe e ka dërguar në një banesë në qytetin e Lezhës, që e kishte në përdorim, duke kryer veprime të turpshme me të”.

Gjatë marrjes në pyetje 62-vjeçari i ka mohuar në vazhdimësi akuzat, duke e konsideruar ngjarjen si inskenim, ndërsa seanca gjyqësore paraprake për dërgimin e çështjes për gjykim do të zhvillohet brenda muajit shtator.

Kol Kola u arrestua nga policia, pas denoncimit të bërë nga 13-vjeçarja e mitur e cila rrëfeu atë që i kishte ndodhur. Pas verifikimeve përmes provave shkencore dhe pamjeve filmike u provua se ka element të veprës penale. Kol Kola ka qenë pjesë e strukturave të policisë së shtetit prej shumë vitesh në disa zona të Qarkut të Lezhës.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *