September 25, 2021

Prokurorja Anila Galanxhi u dorëhoq pas hetimit për pasurinë dhe figurën

Shpërndaje lajmin

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të ndërpresë procesin e vetingut për prokuroren Anila Galanxhi (Pappa), e cila dha dorëheqjen pasi kërkoi disa herë shtyrjen e seancës dëgjimore.

Trupa e KPK gjatë seancës për verifikimin e dorëheqjes së një ish-prokurori. Foto:BIRN

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi 13 korrik 2021 të deklarojë ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar për prokuroren e Tiranës, Anila Galanxhi (Pappa), pas dorëheqjes së saj nga detyra dhe statusi i magjistratit. Gjithashtu, Komisioni ka vendosur t’i ndalojë emërimin si gjyqtare ose prokurore, anëtare e Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si Inspektore e Lartë e Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

Në vendimin e arsyetuar të Komisionit thuhet se hetimi administrativ për prokuroren Galanxhi kishte filluar në janar 2019. Pas dorëheqjes së anëtares Firdes Shuli për arsye të lidhjeve familjare me prokuroren Galanxhi, kjo e fundit ka kërkuar edhe dorëheqjen e komisioneres zëvendësuese, Etleda Çiftja për konflikt interesi, por kjo kërkesë është rrëzuar nga KPK.

Në muajin prill 2021, Komisioni vendosi të mbyllë hetimin kryesisht për prokuroren Galanxhi për kriterin e pasurisë dhe të pastërtisë së figurës dhe i ka njofuar asaj rezultatet. Galanxhi ka kërkuar më shumë se një muaj kohë për kthimin e përgjigjeve, por Komisioni i ka ofruar rreth 20 ditë.

Pasi subjekti ka njoftuar se ka dorëzuar kërkesa të reja për sigurimin e informacioneve, trupi gjykues i ka dhënë kohë shtesë dhe e ka ftuar në seancë dëgjimore që u planifikua për t’u zhvilluar më 21 maj 2021. Një ditë para seancës dëgjimore, Galanxhi njoftoi se ishte diagnostikuar me Covid-19 dhe kërkoi shtyrje të seancës.

Më vonë ajo depozitoi pranë Komisionit kërkesën për dorëheqje të dorëzuar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, KLP dhe ka kërkuar pezullimin e procesit, si dhe shtyrjen e seancës dëgjimore.

Pasi KLP ka njoftuar vendimin për përfundimin e statusit të magjistratit për prokuroren Galanxhi dhe është konfirmuar marrja e formës së prerë së këtij vendimi, Komisioni e ka thirrur subjektin në seancë dëgjimore për t’u dëgjuar, por Galanxhi e ka refuzuar këtë të drejtë.

Në këto kushte, trupi gjykues i KPK, i kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Etleda Çiftjan ka ndërprerë procesin e rivlerësimit për Galanxhin dhe i ka hequr asaj të drejtën për t’u rikthyer në sistemin e drejtësisë gjatë 15-viteve të ardhshme.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *