Protestat e së dielës në Bjellorusi / Policia ndalon qindra persona

Share

Një grup që vëzhgon respektimin e të drejtave të njeriut në Bjellorusi, bëri të ditur se më shumë se 200 persona u ndaluan në Minsk të dielën, ndërsa merrnin pjesë në protesta kundër Presidentit Aleksandër Lukashenko.

Mijëra njerëz dolën në rrugë për të kërkuar dorëheqjen e zotit Lukashenko. Sipas organizatës për të drejtat e njeriut “Vesna-96”, 205 persona ndodhen në paraburgim, pavarësisht përpjekjeve të aktivistëve për t’i zhvilluar protestat në vende të ndryshme, si një mënyrë për të shmangur policinë.

Që nga zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit në Bjellorusi janë zhvilluar protesta javore. Zgjedhjet konfirmuan qëndrimin në pushtet të udhëheqësit afatgjatë Aleksandër Lukashenko, një proces ky që nga vëzhguesit ndërkombëtarë është parë si jo i drejtë e transparent dhe gjatë të cilit u arrestuan ose u detyruan të largohen nga vendi udhëheqësit kryesorë të opozitës. Protestat kanë çuar në më shumë se 7,500 arrestime dhe dhunë policore kundër demonstruesve.

Protestat në rrugë e rifituan vrullin pas vdekjes së një demonstruesi anti-qeveritar, 31 vjeç, në fillim të këtij muaji. Aktivistët thonë se ai ishte rrahur keq nga forcat e sigurisë gjatë një tubimi.

Zoti Lukashenko ka qenë në pushtet për 26 vjet dhe vazhdon të refuzojë thirrjet për t’u larguar. Ai ka pohuar se i ka fituar zgjedhjet me një rezultat dërrmues, duke siguruar 80 për qind të votave, pavarësisht akuzave të gjera si brenda ashtu edhe jashtë vendit, se procesi u manipulua me qëllimin për ta mbajtur atë në pushtet./ VOA


Share

Komente