September 25, 2021

Pse menaxherët e teleferikut që vrau 14 persona në Itali kishin çaktivizuar frenat e emergjencës?

Shpërndaje lajmin

Policia italiane ka arrestuar tre persona pas hetimit mbi përplasjen e teleferikut në malet Piemonte, përplasje e cila ndodhi të dielën, duke u marrë jetën 14 personave.

Zyrtari lokal i policisë, Alberto Cicognani, informoi radiostacionin italian “Radiotre” se frenat e sistemit të emergjencës ishin të çaktivizuar në momentin kur ndodhi aksidenti.

Tre persona, të cilët merreshin me menaxhimin e teleferikut janë akuzuar se kanë çaktivizuar në mënyrë të qëllimshëm frenat e emergjencës, të cilat mund të kishin ndaluar përplasjen në momentin kur kabulli i teleferikut u këput. Teleferiku goditi një shtyllë dhe pastaj u përplas me tokën, duke u rrëzuar nga një lartësi prej rreth 500 metrash.

Hetuesit thanë se sistemi i frenimit emergjent ishte “ndërprerë” në vend që t’i bëhej një ndërhyrje radikale që kërkohej për të rregulluar problemin, por që ishte e kushtueshme.

Prokurorja Olimpia Bossi tha se zgjedhja e tre menaxherëve ishte e vetëdijshme dhe ishte bërë qëllimshëm për të kursyer para.

“Ishte një zgjedhje e vetëdijshme, absolutisht e vetëdijshme. Kjo është gjithçka”, u tha znj. Bossi gazetarëve.

“Nuk ishte një harresë e rastit. Ishte një vendim i vetëdijshëm për të çaktivizuar këtë sistem emergjence, në mënyrë që të korrigjonin përkohësisht problemet teknike që kishte ajo linjë teleferikësh”, shtoi ajo.

Agjencitë italiane të lajmeve bënë publikë emrat e të akuzuarve, të cilët janë përkatësisht Luigi Nerini, kreu i “Ferrovie del Mottarone”, firma që menaxhon teleferikun dhe dy menaxherë të tjerë, Gabriele Tadini dhe Enrico Perocchio.

Teleferiku kishte pasur që më herët probleme teknike të cilat mund të ndërprisnin shërbimin e tij., mirëpo, kur sistemi i emergjencës qëndronte i çaktivizuar, atëherë teleferiku mund ta vazhdonte punën e tij pa ndërprerje, siç edhe ndodhi, deri në momentin e këputjes së kabullit që solli aksidentin fatal. Gazetarët italianë bënë me dije se teleferiku i ndërtuar që në vitin 1970, kishte kohë që nuk funksiononte siç duhej.

Zyrtari lokal i policisë, Alberto Cicognani, tha se tre të dyshuarit e pranuan atë që kishte ndodhur.

Teleferiku u rihap pas shumë kohësh pasi kishte qenë jashtë funksionit për shkak të masave kundër COVID-19, ndërsa aksidenti fatal ndodhi afër fundit të udhëtimit 20-minutësh me teleferik.

Nga 15 personat që udhëtonin me teleferik në Mottarone, një vend piktoresk me pamje nga Liqeni Maggiore në rajonin veriperëndimor të Piemonte, 14 janë vrarë. Personi i vetëm që ka shpëtuar është një djalë 5-vjeçar, i cili aktualisht ndodhet nën kujdesin mjekësor./euronews.al


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *