September 25, 2021

Publikohet akuza ndaj ish pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Pjetër Shala

Shpërndaje lajmin

Dhomat e Specializuara me seli në Hagë, njoftuan të enjten mbrëma se ish pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, është transferuar në Holandë.

I arrestuar më 16 mars në Belgjikë, Pjetër Shala i njohur gjatë luftës në Kosovë me nofkën “komandant Ujku”, akuzohet për veprat: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Në një njoftim të prokurorisë thuhet se “krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit të vitit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Zoti Shala pritet të dalë para Gjykatës në Hagë të hënën me 19 prill.

Dhomat e Specializuara që ndryshe njihen si Gjykata e Posaçme trajtojnë pretendimet për krime lufte të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Tashmë në Hagë ndodhen edhe pesë ish zyrtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi të cilët janë arrestuar në nëntor të vitit të shkuar. Në shtator u arrestua edhe Salih Mustafa.

Që të gjithë akuzohen për krime lufte, akuza që ata i kanë hedhur poshtë.

Në Hagë ndodhen edhe dy zyrtarë të lartë të Organizatës së Veteranëve të luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, të cilët akuzohen “për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës”.

Gjykata e Posaçme u themelua në fillim të muajit gusht të vitit 2015, nga parlamenti i Kosovës, ndërsa themelimi i saj pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Martty, për përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Ngritja e saj si dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar vazhdimisht me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s./voa/


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *