Qark botës, të rinjtë me sytë nga viti 2021

Share

Në qoftë se për të moshuarit fokusi vitin e fundit ka qenë pandemia Covid-19 dhe gjetja e mënyrave për t’i shpëtuar infektimit, të rinjtë, kryesisht ata të lindur pas viteve ’90, panë botën e tyre totalisht të përmbysur gjatë 2020-ës, pikërisht për shkak të koronavirusit. 10 të rinj, qark globit, rrëfejnë sesi pandemia ndryshoi jetën e tyre, bëjnë bilancin e një viti të vështirë të lënë pas dhe zbulojnë sesi i janë përshtatur jetës dhe dëshirave të rinisë në pandemik.

Ata shpresojnë për një 2021 pa virus dhe rikthim në normalitet, ndonëse i tremben pasojave që Covidi mund të lërë pas, duke nisur nga perspektiva për një vend pune, në një ekonomi të goditur rëndë. Ja cilat janë historitë e tyre, duke e nisur nga Wuhani.

1.WUHAN

Xiong Feng, i sapodiplomuar, sot punon si mësues i kërcimit Vogue, një stil kërcimi shumë popullor në Nju Jorkun e viteve ’80. Që prej fundit të vitit 2019, kur Wuhaniu shndërrua në epiqendrën e Covid-19, banorët e qytetit nisën të ndjejnë traumën dhe pasojat e pandemisë që në tremujorin e parë të vitit të shkuar. Efektet atje nisën të ndihën në ditët e para të janarit, kur vendi nisi karantinën e detyruar për 76 ditë, duke e izoluar totalisht vendin nga Kina dhe pjesa tjetër e botës, edhe pse në këtë të fundit efektet e pandemisë do të ndiheshin muaj më vonë. Por, Xiong beson se pandemia, së paku, i ka mësuar njerëzit të jenë më të bashkuar.

2.KORE E JUGUT

Ndërsa Koreja e Jugut shënoi sukses në fillimet e pandemisë duke e luftuar ashpër atë përmes masave shtrënguese, vala e tretë dhe më e fuqishmja e infeksioneve të reja ka bërë që gjithçka të ndryshojë. Të rinjtë atje, e quajnë 2020 si “vitin e humbur”. Mësimi ka kaluar online dhe studentët nuk po arrijnë të shijojnë jetën shkollore ndërsa shoqëria po izolohet për të dytin vit në radhë. Lee Ga-hyeon është studente. Ajo shpreson që këtë vit, provimet të mos jepen online dhe bota të ketë shpëtuar nga koronavirusi. Ajo kujton provimet e 2020-ës, kur studentët jepnin provim me maska, në tryeza të distancuara apo online. Dëshira e saj më e madhe për këtë vit është të shpëtojë më në fund nga izolimi në dhomën e saj të gjumit në Seuli dhe të shohë live në një koncert, grupin e saj të preferuar, BTS.

3.ITALI

Në nisje të 2020-ës, Elisa Dossena nga Italia mbushi 23 vjeç dhe priste ceremoninë e diplomimit për të nisur masterin në një nga universitetet më prestigjioze të Italisë. Por, në shkurt, Italia ishte vendi i parë europian që u godit nga një valë e frikshme e Covid-19. Pandemia ktheu përmbys botën e saj, duke anuluar planet e duke e detyruar që të shndërrohet në atë që 23-vjeçarja e quan “shtëpiake të dëshpëruar”. Vetëm një ditë përpara ceremonisë së diplomimit, Italia hyri në lockdown. Dossenau diplomua online, në një ceremoni pa asnjë familjar apo miq. Sot, ajo ka nisur masterin, për menaxhim biznesi dhe shpreson që 2021-shi të rikthejë normalitetin e vjetër.

4.FRANCË

Vetëm në një apartament të vogël në Paris, në pamundësi për të dalë nga vendi e për të takuar të dashurin e saj, larg miqve e familjes dhe e pasigurt për të ardhmen e saj, Solene Tissot e ka ndjerë shumë të rëndë peshën e Covid-19. 19-vjecarja,e cila u zhvendos në Paris nga një qytet në lindje të Francës 2 vite më parë, studion në kryeqytetin francez për shkenca sociale dhe synon të bëhet psikologe në të ardhmen. Por, në kohën e izolimit kombëtar, vetë ajo u diagnostikua me depresion dhe çrregullime nga stresi, që dolën në pah pikërisht në ditët e vetmisë. Si Solene, të njëjtën ndjenjë përjetuar me mijëra të rinj të tjerë francezë, që gjatë ditëve të izolimit nisën mjekimet. Vetëm në periudhën shtator-nëntor të vitit të shkuar, kur masa të reja shtrënguese u vendosën në Francën, 21% e të rinjve mes moshave 18 deri në 24 vjeç, nisën të vuajnë nga depresioni, sipas të dhënave të Autoritetit të Shëndetit Publik në Paris. Solene prej muajsh po i ndjek leksionet online dhe tani me masat në fuqi, ajo nuk mund të shijojë një kafe normale me miqtë. 19-vjeçarja ka nisur një kurs online të gjuhës arabe dhe po përgatitet për një udhëtim në Liban, që shpreson ta vizitojë këtë vit.

5.RUSI

Në nisje të vitit të shkuar, 23-vjeçarja Galina Akselrod-Golikova, po përgatitej të udhëtonte nga Moska drejt Italisë për punë, pasi do të merrej me marketingun në një pavion rus në Bienalen e Venecias. Por, kjo nuk ndodhi. I gjithë eventi u pezullua, ajo humbi punën dhe në vend që të shëtiste nëpër Itali, u izolua nga gjithçka, në një apartament në Moskë, kur mbarë vendi hyri në karantinë të detyruar në muajin prill. Këto muaj, Galina as nuk është përpjekur të kërkojë një punë të re dhe duke patur kohë të lirë, ka zgjedhur të bëjë një master, për të cilën do të nisë këtë vit praktikën në Romë. Pavarësisht vështirësive, 23-vjecarja beson se pandemia solli edhe gjëra pozitive në jetën e saj, mes të cilave edhe përshtatje me një situatë të tillë.

6.AFRIKË E JUGUT

Vitin 2019, Nomvula e mbylli si kampione e Afrikës së Jugut në sportin e skermës. Ajo siguroi një biletë për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike të muajit prill në 2020 që do të mbaheshin në Egjipt. Por, Covidi pushtoi botën. Të gjitha kompeticionet sportive e kulturore u anuluan. Karantina e muajit mars detyroi kampionen 23-vjeçare dhe skuadrën e saj, të ndalojë edhe trajnimin. Edhe kur garat rifilluan, Nomvula, numri një në Afrikën e Jugut me 17 medalje ari, u përball me shumë vështirësinë gjetjen e fondeve për t’i siguruar pjesëmarrjen në eventet ndërkombëtare, mes tyre edhe Lojërat Olimpike në Tokio, të shtyra për këtë vit.

7.KENIA

Adoleshentja nga Najrobi i Kenia, Jackline Bosibori u mundua gjatë në fillim të vitit të shkuar të mbulojë përmes bluzave të gjëra, shtatzëninë e saj, kryesisht nga e ëma. Ja arriti ta fshehë për pak kohë nga familja e saj, por në nëntor të vitit të shkuar solli në jetë fëmijën e saj. Në Kenia, shtatzënitë në moshën e adoleshencës kanë shënuar rritje të ndjeshme dhe pas saj, vajzat detyrohen të qëndrojnë në shtëpi e të braktisin shkollën. Në muajin korrik, Presidenti i Kenias urdhëroi një hetim kombëtar pas rritjes së numrit të denoncime për abuzime seksuale, mes tyre edhe përdhunime, kryesisht gjatë muajve të izolimit gjatë pandemisë. Jackline synonte para shtatzënisë dhe pandemisë të bëhej avokate, por izolimi e detyroi që të heqë dorë nga shkolla, e cila u mbyll që prej marsit të shkuar. Me gjetjen e vaksinës dhe për të ardhmen e vogëlushes së saj, Jackline shpreson të mund ti rikthehet shkollës sa më shpejt.

8.EGJIPT

Abdullah El-Berry, 22-vjeçari, gazetar sporti, e cilëson 2020 si një vit vërtet të vështirë. Një lëndim i rëndë në gju e detyroi që në fillim të vitit ti nënshtrohet për muaj të tërë fizioterapisë dhe për këtë i duhej të udhëtonte çdo ditë 3 orë për në Kajri, nga shtëpia e tij në qytetin Delta. Për shkak të pandemisë, ajo nuk mund ta vazhdonte fizioterapinë pasi spitalet iu dedikuan vetëm pacientëve me Covid. Për shkak të problemeve shëndetësore, ai nuk mori pjesë as në ceremoninë e shumë pritur të diplomimit. Pesimist 22-vjeçari shprehet edhe për vitin 2021.

9.BRAZIL

Joao Vitor Cavalcante, sot 19 vjeç, është trajnuar vazhdimisht gjatë 2019-ës, për të ndërtuar një karrierë të suksesshme si një çiklist profesionist. Ai besonte se 2020 do të ishte viti i tij, por pandemia koronavirus i shkatërroi çdo ëndërr. Ai u detyrua të nisë punë në një servis makinash dhe pritshmëritë për të bërë karrierë në çiklizëm u shembën. Joao është vetëm një ndër miliona të rinj, që në mënyrë dramatike ndryshuan ëndrrat e pritshmëritë e tyre, për t’i mbijetuar krizës ekonomike që la pas pandemia. Sipas një vëzhgimi të financuar nga organizatat jo fitim-prurëse në Brazil, thuajse 23% e të rinjve 15 deri në 29 vjeç, u detyruan të nisin një punë çfarëdo, për t’i mbijetuar krizës nga pandemia. 60% u regjistruan për të përfituar nga pagesat e papunësisë nga qeveria. Edhe për 19-vjeçarin Joao, nuk kishte asnjë mundësi zgjidhjeje. Prindërit e tij u detyruan të mbyllin biznesin gjatë muajve të parë të pandemisë ndërsa kompeticionet ku ai duhej të merrte pjesë, u anuluan. Megjithatë, ai ka shpresë për këtë vit.

10.KALIFORNI

Valeria Murguia po mbaronte studimet në Universitetin Shtetëror të Kalifornisë, si studente komunikimit dhe punonte në një qendër shëndetësore të kampusit, kur vendi u godit nga vala e parë e pandemisë. Krejt papritur, mësimi nisi online dhe të ardhurat e pakta që siguronte nga puna, nuk i mjaftonin. Kështu, Valeria u detyrua të rikthehet në shtëpi dhe u përqendrua për muaj me radhë, për shkak të izolimit, vetëm tek studimet. Ajo mësoi gjatë kësaj kohe sesi të ndërtojë uebsajte, të përmirësojë aftësitë e saj si grafik dizajn dhe si të planifikojë evente. Gjatë muajve të verës ajo punoi me prindërit e saj, emigrant nga Meksika, në vreshta. Por, Valeria vazhdoi. Këtë maj ajo diplomohet dhe mbetet optimiste për vitin 2021.


Share

Komente