January 28, 2022

Qëllohet me bojë murali i Ratko Mlladiçit në Beograd

Shpërndaje lajmin

Mëngjesin pasi policia serbe arrestoi dy gra se qëlluan me vezë një mural të Ratko Mlladiçit në Beograd, një aktivist politik hodhi një kovë me bojë mbi muralin kushtuar kriminelit të luftës.

Murali i Ratko Mlladiçit në Beograd pasi u qëllua me bojë të mërkurën. Foto: BIRN.

Djordjo Zujovic, një anëtar i Partisë Socialdemokrate të Serbisë, SDP, hodhi një kovë me bojë mbi një mural të gjeneralit të kohës së luftës Ratko Mlladiç në murin e një rezidence banimi në Beograd të mërkurën, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të policisë për të mbrojtur nderimin nga një krimineli lufte.

Zujovic tha se murali që lavdëron Mlladiçin “përfaqëson një njollë në fytyrën e çdo qytetari të Serbisë, pavarësisht se cilit komb (etni) i përket, apo çfarë feje apo orientimi politik ka”.

“Unë e konsideroj atë që kam bërë si një veprim normal, njerëzor. Mbështes këdo që tregon me veprimet e tij se ende kujdeset për luftën për një shoqëri normale”, tha ai për faqen e lajmeve Nova.rs.

Murali ka qenë në qendër të polemikave që kur Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, një OJQ me qendër në Beograd, u bëri thirrje njerëzve të mblidhen dhe të pikturojnë mbi të të martën, 9 nëntor, Ditën Ndërkombëtare të Antifashizmit dhe Antisemitizmit.

Ministria e Brendshme e ndaloi tubimin dhe vendosi policinë për të ruajtur muralin. Por dy aktiviste, Aida Corovic dhe Jelena Jacimovic, hodhën vezë ndaj tij dhe u arrestuan të dyja.

Ato u liruan të martën në mbrëmje dhe iu bashkuan një proteste që u mbajt në qendër të qytetit kundër arrestimit të tyre dhe muralit të Mlladiçit. Protestuesit marshuan drejt bashkisë së Vraçarit, ku ndodhet murali, por policia me mburoja kundër trazirave ngriti një kordon për t’i penguar ata të afroheshin.

Pas përfundimit të tubimit, një grup mbështetësish të ekstremit të djathtë përdorën thirrje me fyerje ndaj aktivistëve. Policia tha të mërkurën në mëngjes se gjatë ditës ka arrestuar gjithsej gjashtë persona.

Zujovic, një ish-anëtar i Partisë Liberal Demokratike i cili këtë vit iu bashkua Partisë Social Demokrate, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës, tha se pasi hodhi bojë në murale të mërkurën, ai u përball me një mbështetës të ekstremit të djathtë.

“Kur bëra atë që bëra, ai tha se do të më gjente, se do ta merrte vesh se kush isha… Nuk e shihja dot se kush ishte, sepse e kishte pothuajse plotësisht e mbuluar fytyrën”, tha Zujovic.

Në qershor të këtij viti, Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare në Hagë la në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për Ratko Mlladiçin për gjenocidin e boshnjakëve nga Srebrenica, persekutimin e boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë vendin gjatë luftës, terrorizimin e popullsisë së Sarajevës me një fushatë bombardimesh dhe sulmesh me snajper gjatë rrethimit të qytetit, dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published.