September 25, 2021

‘Qendra e votimit më e mirë në Shqipëri’: aty ku komisionerët pinë Red Bull

Shpërndaje lajmin

Komisionerët politikë kanë një nam të keq në media, por në qendrën e votimit 1391 të vendosur në pallatin e kulturës në Shijak, ato thonë se janë miq dhe shkojnë gjithmonë mirë.

Bruno Domi, 40 vjeç, vëzhgues i PS-së në Shijak | Foto : B.Likmeta

Bruno Domi e ka filluar karrierën e tij si vëzhgues zgjedhjesh për Partinë Socialiste në moshën 18-vjeçare dhe tani që sapo ka mbushur 40-vjeç, ai e quan veten me vetëbesim, “veteran”. Për gati 22-vjet, Domi ka vëzhguar zgjedhjet në qendrën 1391, e vendosur në pallatin e kulturës në qendër të Shijakut, të cilën e cilëson si më të mirën në Shqipëri.

“Këtu jemi të gjithë shokë e miq,” thotë ai. “Është një nga qendrat e votimit që s’ka pasur asnjëherë probleme,” shtoi Domi.

Shijaku ka një nam si një zonë problematike, ku krimi organizuar përfshihet në zgjedhje për të deformuar vullnetin e votuesit.

Megjithatë, sipas Domit dhe kolegëve të tij nga krahu i opozitës, kjo nuk është gjithmonë e vërtetë, të paktën për QNV-në ku ato me besnikëri ruajnë votat e subjekteve të tyre politike, ndërsa kthejnë nga një kanaçe me pije energjike “Red Bull.”

“Janë thjeshtë politikanët që e bëjnë këtë, ndërsa njerëzit, e shef  jemi të gjithë shokë,” thotë Domi, ndërsa shton se “nuk ka këtu ndarje partie.”

“Ne hamë bukë bashkë, ulemi bashkë, rrimë bashkë gjithë kohën – Shijaku nuk i ka pasur asnjë herë këto probleme,” theksoi ai, duke ju referuar raportimeve në media.

Bashkia e Shijakut përfshihet në qarkun e Durrësit, i cili zgjedh 14 mandate për deputet. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, në këtë qark Partia Socialiste ka marrë 8 mandate, kundrejt 4 të PD-së dhe 2 të LSI-së.

Qendra e votimit 1391 në Shijak | Foto : B. Likmeta

Megjithatë, ky rezultat i thellë u njollos pas rrjedhjes së një serie përgjimesh të prokurorisë në vitin 2019, të cilat sugjeronin se Partia Socialiste kishte përfshirë krimin e organizuar për të intimiduar zgjedhësit dhe për të blerë vota në këtë zonë.

Për PS-në në Shijak kandidon, Ilir Dranxhi, i cili u bë i njohur për publikun pas rrjedhjes së përgjimeve të bandës së Shijakut, në të cilat dëgjohet se emri i tij për deputet është propozuar nga Astrit Avdylaj, i akuzuar si kreu i një grupi kriminal i përfshirë në trafikun e drogës.

Megjithatë, sipas Bruno Domit, çfarë do e keqe që flitet për zgjedhjet në Shijak, nuk ka lidhje me qendrën e votimit ku ai ka milituar për 22 vite.

“Kjo besoj se është një nga qendrat më të mira dhe po të pyesësh, nuk ka pasur asnjë herë probleme,” tha ai.

Edhe Erando Xhija, 27 vjeç vëzhgues për Partinë Demokratike në qendrën 1391 në Shijak i ka vëzhguar zgjedhjet për herë të parë në moshën 18-vjeçare.

“Jemi rritë gjithë bashkë dhe shkojmë mirë të gjithë, jemi shokë lagje të gjithë,” tha ai.

“Nuk e di unë kush i nxjerr ato gjona, por ne këtu jena mirë, sepse të gjithë jena miq e jena shokë,” shtoi Xhija.

Sa për Red Bull-in ai theksoi se ndonjehërë i “hudhin edhe nga një dopio xhin mrena, nga një Chivas – varet.”

Votues duke hedhur votën në qendrën e votimit 1391/1 në Shijak | B. Likmeta

Deri në orën 12:30, pjesëmarrja në dy qendrat e votimit në pallatin e kulturës në Shijak ishte respektivisht 150 votues në qendrën 1391 dhe 105 në qendrën 1391/1. Domi thotë se pjesëmarrja ka qenë e kënaqshme dhe pritet të rritet pas dreke.

“Problemi i kësaj qendre është se, më shumë se 50% janë emigrantë, është lagje që ka shumë emigrantë,” tha Domi. “Sot është e dielë, por ka shumë njerëz që shesin te tregu, ka shumë njerëz që punojnë,” tha ai, ndërsa shpjegoi se për ditë të dielë ka një treg të madh në Shijak.

“Pasdreke shifrat do jenë shumë të mira,” përfundoi Domi.

 


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *