Qeveria e Kroacisë distancohet nga deklarata e presidentit kroat: S’është qëndrim yni
Në një postim për media, Qeveria e Kroacisë ka reaguar në lidhje me deklaratat e presidentit kroat, Zoran Milanoviq, i cili tha se ndërkombëtarët ia kanë marrë Kosovën Serbisë, përcjell albinfo.ch.
Referuar një shkrim në Twitter, qeveria kroate theksoi se dekaratat e Milanoviqit nuk janë qëndrimi politik i Kroacisë, duke rikonfirmuar se Kosova është shtet i pavarur dhe i njohur nga Kroacia.
“Sa u përket deklaratave të presidentit për çështjen e Kosovës, Kroacia e ka përcaktuar qartë veten dhe ajo që tha ai nuk është qëndrim politik i vendit. Kosova është shtet i pavarur, shtet i njohur nga Kroacia dhe shtet me të cilin kemi marrëdhënie diplomatike”, thuhet në postimin e Qeverisë kroate në Twitter.
Presidenti Milanoviq këto deklarata i ka bërë para dy ditëve, ku tha se Kosova i ka takuar Serbisë, por atë ia ka “aneksuar” bashkësia ndërkombëtare.