Qeveria hungareze ashpërson rregullat për abortin
Qeveria hungareze e krahut të djathtë ka lëshuar një dekret, përmes së cilit kërkohet që mjekët t’ua tregojnë grave që duan të kryejnë abort shenjat vitale të fetusit. Ky obligim paraqet ashpërsim të rregullave relativisht liberale të abortit në Hungari.
Dekreti thotë se personeli shëndetësor duhet t’iu ofrojë grave shtatzëna “një tregues të qartë e të identifikueshëm të shenjave vitale të fetusit” përpara se të vazhdojnë me çdo procedurë të abortit. Rregulla hyn në fuqi më 15 shtator.
Ministria e Brendshme e Hungarisë tha se “gati dy e tretave e hungarezëve e lidhin fillimin e jetës së një fëmije me rrahjet e para të zemrës” dhe se pajisjet moderne mund të detektojnë rrahjet e zemrës së fetusit në fillim të shtatzënisë, gjë që mund t’u “japë informacion më të plotë grave shtatzëna”.
Ligjet e abortit në Hungari janë relativisht liberale dhe kanë mbetur pothuajse të pandryshuara qëkur aborti u lejua më 1953./REL