“Rama dhe Meta shfrytëzojnë postet për fushatë”/ Lubonja: Jetojmë në një vend anormal

Share

Analisti Fatos Lubonja, duke folur për përplasjen mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta, deklaroi se shikon Ramën si rrezikun më të madh të demokracisë në Shqipëri. Ai theksoi se jetojmë në një vend, që në çdo parametër nuk është normal.

Në një intervistë për “News24”, Lubonja shtoi se si kryeministri ashtu edhe presidenti po shfrytëzojnë postin që kanë në favor të fushatës elektorale.

“Të dy, Rama e Meta shfrytëzojnë postet në fushatë elektorale. Jemi në një vend anormal, për mendimin tim, ku derisa votat shiten e blihen nuk mund të presësh që të ketë respekt për disa norma normale të votimeve. Edhe në Kosovë kishte kulturë votimi. Këtu është kush t’ja hedh njëri-tjetrit dhe kush është më i fortë e ka më shumë para. Edhe presidenti ka dalë nga roli i tij normal.

Presidenti reagon ndaj një kryeministri që është ekstrem në keqpërdorimin e pushteteve. Në mendimin tim, Rama është njeriu më i rrezikshëm që ka Shqipëria sot, kjo bën që të mbyllësh syrin ndaj presidentit. Unë kam thënë më mirë tre banda sesa një, sepse krijojnë balancën. Unë mendoj që kjo drejtësi është më e kapur se ajo përpara. ne jemi popull i rrahur shumë dhe të nënshtruar. Ky populli rrahur kështu mund të shkojë në shpërthim, që ndoshta çon edhe në shkatërrim. Këta e kanë çuar situatën shumë larg gjendjen, shumë keq”, tha Lubonja./CNA.al


Share

Komente