January 18, 2022

Raporti: Gratë në politikë përballen me gjuhë denigruese gjatë zgjedhjeve

Shpërndaje lajmin

Një raport monitorimi i mbështetur nga UN Women tregon se gratë në politikën shqiptare u përballën me gjuhë degraduese dhe përçmuese gjatë zgjedhjeve të fundit si dhe me një hendek të thellë në mbulimin mediatik.

Gjatë prezantimit të raportit të monitorimit “Dhuna ndaj grave gjatë zgjedhjeve dhe pabarazia gjinore në mbulimin mediatik…”. Foto: Nensi Bogdani.

Gratë në politikën shqiptare përballen me gjuhë denigruese dhe përçmuese si dhe me një hendek të thellë në mbulimin mediatik në raport me politikanët burra, theksoi një raport monitorimi i mbështetur nga UN Women që u prezantua të martën në Tiranë.

Raporti me titull “Dhuna ndaj grave gjatë zgjedhjeve dhe pabarazia gjinore në mbulimin mediatik të zgjedhjeve të përgjithshme të prillit 2021 në Shqipëri” vjen si rezultat i monitorimit të 121,493 artikujve në televizion, median e shkruar dhe median online gjatë periudhës para dhe pas zgjedhjeve të 25 prillit. Monitorimi u financua nga qeveria suedeze.

“Peisazhi i mediave sociale është armiqësor për gratë në politikë,” tha Elma Tërshana, drejtore e Observatorit për të Drejtat e Fëmijëve dhe të Rinjve.

“Gjuha denigruese dhe përçmuese ndaj grave politikane, sidomos në fazën parazgjedhore dhe gjatë fushatës elektorale përbën një klimë tepër negative për pjesmarrjen e grave dhe vajzave në politikë,” shtoi ajo për gjetjet e raportit.

Raporti theksoi gjithashtu se kandidatet gra gjejnë një hapësirë mediatike shumë herë më të vogël sesa kandidatët burra gjatë proceseve zgjedhore.

Në një analizë të publikuar në prill, BIRN zbuloi se vetëm 15 për qind e minutazhit në edicione informative, transmetimet live dhe emisonet televizive në 28 TV kombëtare dhe lokale në vend shkoi në favor të kandidateve femra.

Raporti “Dhuna ndaj grave në zgjedhje…” konfirmon të njëjtin trend diskriminues nga artikujt e monitoruar para dhe pas zgjedhjeve, ku 84% e mbulimit ka shkuar në favor të politikanëve burra dhe vetëm 16% për gratë politikane.

Sipas autorëve të raportit, një prej qëllimeve të studimit ishte pikërisht njohja e çështjes së dhunës ndaj grave gjatë zgjedhjeve, si një koncept aktualisht shumë pak i njohur, i cili duhet të përfshihet më shumë në debatin publik.

Përfaqësuesi i UN Women për Shqipërinë, Michele Robotta shprehu shqetësim për linçimin e grave që mbajnë poste publike.

“Disa çështje për t’u adresuar janë problemet me median sociale, ku kandidatet gra janë sulmuar shpeshherë, të paktën verbalisht,” tha Ribotta.

E pranishme në takim, zv/kryetarja e Parlamentit, Ermonela Felaj theksoi se prezenca e grave në jetën politike jo vetëm duhet ngritur, por edhe duhet ruajtur.

“Gratë kanë një sens përgjegjshmërie qytetare më të madhe sesa burrat, sepse janë më afër gjërave konkrete, për të cilat njerëzit kanë pritshmëri nga politika,” tha Felaj.

Felaj shtoi se fatkeqësisht, pabarazia e “armëve” midis grave dhe burrave kandidatë do të vazhdojë për një kohë të gjatë.

Ndërsa Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca ndau përvojën e saj mbi periudhën kur mori postin publik.

“Ishte një sfidë e madhe për mua, sidomos kur shikoja se shpeshherë etiketohesha nga media për prezencën time, sesa për punën time. Gratë që kanë detyrë publike kanë një presion shumë të madh dhe një luftë psikologjike,” tha Ballanca.

Ballanca shtoi se Aleanca kundër Gjuhës së Urrejtjes, ku institucioni i saj bën pjesë, ka propozuar disa kohë më parë një kod etik zgjedhor për partitë politike në lidhje me gjuhën e urrejtjes, i cili është miratuar pa komente shtesë, por është akoma në pikëpyetje nëse ky kod po zbatohet plotësisht prej partive politike.

“Sa implementohet kodi i etikës brenda partive politike?” pyeti ngjashëm edhe politikania e LSI, Klajda Gjosha.

Gjoshaj theksoi se reflektimi nuk duhet të vijë vetëm nga media, por nga vetë partitë politike të cilat nuk i delegojnë grave kandidate apo deputete detyra apo prezencë televizive, nga frika se ato nuk janë të afta për t’u përballur me debate të forta politike.

“Vetë partitë politike nuk i dërgojnë gratë në media, pasi nuk besojnë se ato mund të kenë përballje agresive politike. Duhet një reflektim i fortë brenda vetë partive politike. Jo vetëm mediat, por e gjithë shoqëria duhet të lëvizë,” tha Gjosha.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *