Reagimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës

0
Shpërndaje lajmin

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reaguar sot në lidhje me deklaratat e kryeministrit Kurti dhe ministrave nga kabineti qeveritar, të bëra pas arrestimeve të fundit lidhur me rastin e rezervave shtetërore, duke i cilësuar tendencioze, të pavërteta, linçuese, shantazhuese e nënçmuese.
Institucioni i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të qëndrojë larg deklaratave të tilla, tentativave për ndërhyrje dhe presione të drejtpërdrejta dhe të kota, që bien në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Sipas komunikatës për media, KPK i ka cilësuar deklaratat me përmbajtje tejet tendencioze, të pavërteta e linçuese ndaj Institucionit të Prokurorisë dhe prokurorëve të saj, të bëra dje dhe sot nga ana e Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe ministrave të kabinetit qeveritar mbi bazën e paragjykimeve dhe hamendësive, duke tentuar të godasë sistemin prokurorial në çdo mënyrë dhe në çdo rast.

KPK-ja thekson se deklaratat dhe akuzat e tilla të pabaza dhe qasja e tillë e një pushteti tjetër, duke sulmuar dhe linçuar kryeprokurorët dhe prokurorët me emra dhe mbiemra, është shkelje e patolerueshme dhe tentativë e dështuar për të ndërhyrë në punën e pavarur të Prokurorit të Shtetit.
“Prandaj, KPK-ja dënon keqpërdorimin e fjalës së lirë nga ana e Kryeministrit dhe ministrave të tij, duke theksuar se këto deklarata janë krejt të kota ndaj Prokurorit të Shtetit, i cili nuk ndikohet nga qarqet politike dhe grupet e interesit, por si institucion i pavarur dhe i paanshëm në ushtrimin e mandatit të vet do t’i shkojë deri në fund çdo rasti me dyshim për keqpërdorim të parasë publike dhe në dëm të qytetarëve të Kosovës, pavarësisht kush është, në çka beson dhe çfarë ka bërë”, thuhet në reagim.
Më tej KPK-ja bën thirrje që Prokurori i Shtetit, puna dhe misioni i tij, të jenë jashtë çdo agjende të politikës ditore, sepse vlerësimi i punës së prokurorëve nuk varet nga vullneti i individëve, subjekteve dhe grupeve të caktuara dhe as këto deklarata dhe veprime jokorrekte, joetike dhe të padinjitetshme nuk do të arrijnë të zbehin punën e prokurorëve.
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *