Reagojnë ‘viktimat’ e TikToker-it australian që po bën miliona me videot virale
Një TikToker australian ka shkaktuar debate të shumta pasi dy nga ‘viktimat’ e tij bënë publik shqetësimin se ishin përdorur pabesisht në disa prej videove të tij.
Maree, një grua në moshë, tha për ABC Melbourne që “Në fillim e gjitha u duk si një shaka, ama më vonë kjo eksperiencë më bëri të ndjehem çnjerëzore dhe si një grua e vjetër patetike”.
Në videon që akumuloi mbi 58.8 milionë klikime, Maree duket teksa ishte ulur për të pushuar në një qendër tregtare, kur 22-vjeçari Harrison Pawluk shfaqet papritmas dhe i dhuron një tufë me lule.
Pamje nga vidoet virale te Harrison Pawluk
Maree thotë se ishte duke pirë një kafe pasi kishte mbaruar pazaret kur Pawluk ju afrua, ndërsa miku i tij e filmonte në distancë.
Sipas Maree, në video ajo është portretizuar si një grua e vetmuar dhe e trishtuar, në një kohë kur kjo jo vetëm s’është e vërtetë, por ajo as që nuk i pëlqeu lulet dhe e bezdisi fakti që duhet t’i mbante gjatë gjithë rrugës për në shtëpi.
Ky nuk ka qenë rasti i vetëm që ka folur publikisht kundër 22-vjeçarit.
Një tjetër grua australiane, që nuk ka dashur të bëhet publike, u ankua për faktin se në një video tjetër, Pawluk pagoi fshehtazi teksa ajo po kërkonte kartën në kuletë për të blerë ushqimet në një supermarket.
Në video këto raste shfaqen si ‘vepra të mira’ që po i bëhen njerëzve në nevojë kur shpesh ata nuk janë të tillë, dhe filmohen e më pas publikohen në Tik Tok pa dhënë asnjë lloj miratimi.
Nga ana tjetër, të shumtë janë ata që kanë kritikuar edhe rastet kur në këto video tregohen njerëz vërtetë të varfër apo të pastrehë, të cilëve iu përdoret imazhi në momentet e tyre më të vështira.
Në këmbim të kësaj ata mund të marrim shuma si $100 apo $200 dollarë ama fitimet që ky lloj aktiviteti po i sjell Pawluk i kalojnë $10 000 – $15 000 në muaj.
Pawluk nuk është i vetmi TikToker apo Youtuber që filmon të tilla video të cilat në pamje të parë duken si vepra bamirësie por që shumë kritikë i quajnë krejtësisht jo-etike.
Që prej publikimit të këtyre incidenteve, Pawluk ka marrë nofkën ‘Mbreti i Shfrytëzimit’ në internet.
Ai ka bërë publike një kërkesë falje, duke thënë se rastet kur personazhet në videot e tij ankohen, janë shumë të rralla ama ai është i gatshëm ta heqë videon nga profili i tij.