Reagon BE dhe SHBA për situatën në Rusi

0
Shpërndaje lajmin

Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken ka thënë se ka diskutuar me ministrat e jashtëm të G7-ës dhe ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian mbi situatën në Rusi.
“Shtetet e Bashkuara do të koordinohen ngushtë me aleatët dhe partnerët në ndjekje të situatës”, shkroi zoti Blinken në Twitter, përcjell albinfo.ch.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Mathew Miller bëri të ditur se Blinken ka përsëritur se mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën nuk do të ndryshojë.
BBC bëri të ditur se është mbledhur komiteti i emergjencës së qeverisë britanike për të diskutuar mbi situatën në Rusi, shkruan Zëri i Amerikës.
Të shtunën Kryeministrin britanik Rishi Sunak tha se do të bisedonte me të gjithë aleatët, derisa u bëri thirrje të gjitha palëve të përfshira në konflikt në Rusi që të shmangin lëndimin e popullsisë civile, përcjell albinfo.ch.
Edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë ka bërë të ditur se ministrja Annalena Baerbock diskutoi mbi situatën me homologët e G7-ës dhe se është thirrur një takim i ekipit për menaxhimin e krizave në qeverinë e Gjermanisë.
Ndërkohë, Kremlini njoftoi se Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin bisedoi me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. “Presidenti Erdogan mbështeti veprimet e qeverisë së Rusisë ndaj rebelimit të grupit mercenar të armatosur Wagner”, thuhet në njoftimin e Kremlinit, shkruan Zëri i Amerikës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *