Reagon presidentja Osmani: Borrell ishte i njëanshëm

Shpërndaje lajmin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj qasjes se shefit për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, në takimin e sotëm ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq.
Osmani ka thënë se rregulli i parë i secilit proces ndërmjetësues është paanshmëria, raporton Albinfo.ch.
“Ajo që pamë sot nga z. Borrell ishte njëanshmëri e shpërfaqur haptazi, akomodim i agresorit dhe prezantim i një realiteti tërësisht të shtrembëruar”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Ajo ka thënë se sikur Borrell t’i respektonte parimet bazike të neutralitetit, do t’ia përmendte Serbisë marrëveshjet e shkelura të Brukselit, në vend se ta akuzonte Kosovën.
Renditjen e këtyre shkeljeve, Osmani e ka nisur me shkeljen e obligimit për shpërbërjen e strukturave paralele ilegale kriminale, ashtu siç kërkohet në Marrëveshjen e vitit 2013.
“Përkundrazi, këto struktura sot përkrahen, financohen e armatosen nga Vuçiq, me qëllim të sulmit ndaj Kosovës sipas stilit e planit të Putinit”, ka thënë ajo.
Tutje ka vazhduar me moszbatimin e Planit të Zbatimit të Marrëveshjes së vitit 2013, ku kërkohet që të dyja palët të miratojnë ligje për amnisti. “Deri tani, vetëm Kosova e ka miratuar”, ka thënë Osmani.
Tjetër shkelje, siç ka thënë presidentja, është shkelja e obligimeve nga Marrëveshja e vitit 2013, që kanë të bëjnë me mbajtjen e zgjedhjeve, ku Serbia vazhdimisht ka nxitur sulme ndaj partive serbe që nuk konsideroheshin besnike ndaj qeverisë së Serbisë.
Po ashtu, ajo ka përmendur shkeljen e vazhdueshme e pikës 14 të Marrëveshjes, ku kërkohet që Serbia të mos e bllokojë rrugën evropiane të Kosovës, shkeljen e pikave 9, 10 dhe 11 të Marrëveshjes së vitit 2013 ku është paraparë integrimi i serbëve në polici, gjyqësi, etj.
“Për më tepër, ditët e fundit kemi parë shkelje flagrante të kësaj marrëveshjeje me nënshkrimin e kontratave me institucionet ilegale të Serbisë dhe asnjë reagim të BE-së”, ka thënë Osmani.
Më tej ka theksuar bllokimi i zbatimit të marrëveshjes për energji për gati 10 vjet, moszbatimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë, nëpërmjet ndalesave, të cilat Serbia ua bënë shumë zyrtarëve e qytetarëve të Kosovës të të gjitha profileve që të hyjnë në Serbi, mospranimin e dokumenteve të lëshuara nga Kosova, etj dhe moszbatimin e marrëveshjes për drejtësinë, nëpërmjet vendosjes së vulave në dokumentet origjinale të gjykatave dhe organeve të tjera të Kosovës me mbishkrimin “Republika e Serbisë –Kosova dhe Metohija –nën administrimin e OKB-së dhe Rezoluta 1244.
“Moszbatimi i Marrëveshjes për Zyrat Ndërlidhëse duke mos lejuar zgjerimin e stafit të zyrave ndërlidhëse ashtu siç ishin marrë vesh palët. Shkelja e marrëveshjes për dogana, ku Serbia ende përdorë vulat paralele doganore etj. Shkelja e marrëveshjes për kadastra, ku nuk ka asnjë përparim në obligimet që i ka Serbia për t’i dorëzuar dokumentet origjinale të kadastrave. Shkelja e marrëveshjes për diploma, në të cilën poashtu nuk ka asnjë përparim nga ana e Serbisë. Shkelja e marrëveshjes për urën e Ibrit, duke nxitur strukturat ilegale të vazhdojnë me aktivitete të paligjshme duke bllokuar qarkullimin e automjeteve. Shkelja e marrëveshjes për përfaqësim rajonal, duke tentuar të bllokojë pjesëmarrjen e Kosovës e duke keqinterpretuar marrëveshjen për fusnotën në thuaja secilin organizim rajonal apo të Bashkimit Evropian, qofshin ato takime të nivelit qeveritar, parlamentar apo të tjera. Shkelja e obligimeve për funksionalizimin e  pikave kufitare” ka përfunduar Osmani listëm e gjatë të shkeljeve të Serbisë.
Kjo listë, sipas saj, është më e gjatë se kaq.
“Paqja dhe stabiliteti nuk mund të arrihen duke akomoduar ata që kanë ambicie hegjemoniste. Por, Kosova asnjëherë nuk do të heq dorë nga qëllimi i qartë për paqe e stabilitet afatgjatë si dhe rend e ligj në tërë territorin e saj”, ka përfunduar presidentja Osmani./Albinfo.ch/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *