Rëndohet bilanci i viktimave nga tërmeti, ekipet e shpëtimit në garë me kohën
Operacione të shumëfishta po bëhen në jug të Turqisë dhe në veri të Sirisë pas tërmetit të fuqishëm që ka vrarë mbi 5 mijë persona.
Skuadrat e shpëtimit po nxitojnë për të nxjerrë njerëzit nga rrënojat, pasi disa mijëra godina u shembën në të dyja vendet.
Tërmeti me magnitudë 7.8 e pati epiqendrën e tij në Gaziantep dhe u verifikua në orën 4 e 17 të mëngjesit të së hënës, teksa njerëzit ishin në gjumë.
Më pas, një tërmet tjetër me fuqi 7.5 ballë të shkallës Rihter u verifikua rreth orës 11 e 30, që u pasua nga rreth 100 lëkundje sizmike të vogla.
Sipas zyrtarëve vendas, mbi 3 mijë e 549 persona kanë vdekur vetëm në Turqi dhe 22 mijë e 168 të tjerë janë lënduar. Ndërsa në Siri bilanci i viktimave flet për 1 mijë e 602 të vdekur.
Ndërkohë, numri i personave të prekur nga efektet dhe dëmet e tërmeteve shkon mbi 1 milion, duke pasur parasysh faktin se godinat e shkatërruara janë rreth 6 mijë.
Autoritetet turke kanë deklaruar ndërkohë se mbi 24 mijë anëtarë të skuadrave të emergjencës po ndihmojnë në operacionet e kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nxjerrë të gjallë rreth 8 mijë persona.
Ndihma ndërkombëtare po dërgohen në rajonet e prekura nga OKB, BE, NATO dhe qeveritë e Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Kinës, Rusisë, Indisë, Japonisë, Irakut, Iranit, Australisë, Zelandës së Re, Greqisë, Pakistanit dhe shumë vendeve të tjera.
LEXONI GJITHASHTU:
Parashikoi goditjen e fortë në Turqi, shkencëtari paralajmëron tërmetin e radhës
Turqi, nga sot 7 ditë zie pas tërmetit tragjik