Reshje intensive në të gjithë vendin, përmbyten rrugët kryesore në Vlorë, parashikohet përkeqësim i situatës

Share

Reshjet e dendura të shiut gjatë natës së djeshme kanë shkaktuar kanë shkaktuar probleme në qarkullimin e mjeteve në disa qytete dhe përmbytjen e tokave bujqësore.

Rrugët kryesore të qytetit bregdetar të Vlorës gjenden nën pushtetin e ujit, teksa makinat e kanë të vështirë qarkullimin në to.

Rruga Transballkanike, një nga pikat kyçe të transportit në qytet, shfaq një problematikë të vazhdueshme përmbytjesh sa herë që kemi reshje të dendura të shiut.

Prezenca e ujit vërehet edhe në rrugë të lagjeve të ndryshme të qytetit, por për momentin nuk raportohen përmbytje në banesa ose biznese. Punonjësit e ujsjellës-kanalizimeve kanë zbritur në terren në mënyrë që të bëjnë të mundur zhbllokimin e kanalizimeve dhe normalizimin e situatës. Në ditët në vijim parashikohet që situata të përkeqësohet pasi priten reshje masive shiut në pothuajse të gjithë territorin e vendit.

Bashkia u ka bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi. Kanali në lagjen Pavarësia të qytetit si pasojë e prurjeve të larta rrezikon të dalë në sipërfaqe.

“Te dashur qytetare! Duke parë kushtet e motit nê Vlorë, por edhe në të gjithë vendin, do ju luteshim të shmangnit të gjitha lëvizjet me makina për shkak të shirave të dendur dhe erërave të forta. Paralajmërimet e meteorologëve për përmbytje, na bëjnë të jemi të kujdesshëm”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Bashkisë së qytetit bregdetar.

Ndërkohë, raportohet se lumi Ishëm ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur disa hektraë tokë bujqësore. Pjesa fundore e fshatit Murqinë rrezikohet nga shirat. Në Krujë e Bubq ka gjithashtu dhjetëra hektarë tokë që tanimë janë nën ujë.

Kujtojmë se, dje IGJEUM ka bërë një parashikim për përmbytje në disa qqarqe të vendit, si dhe reshje intensive shiu në të gjithë territorin, nga data 6 deri në 11 janar.


Share

Komente