December 1, 2021

Rezart Taçi shpallet në kërkim për një skemë ndërkombëtare pastrimi parash

Shpërndaje lajmin

Biznesmeni kontrovers i naftës, Rezart Taçi u shpall në kërkim ndërkombëtar nga SPAK, i akuzuar për përfshirje në një operacion financiar për fshehjen e 18 milionë eurove nga konfiskimi në Itali dhe pastrimin e tyre, në bashkëpunim me shtetas italianë të dyshuar për lidhje me mafian.

Rezart Taçi. Foto: LSA

Biznesmeni kontrovers Rezart Taçi u shpall në kërkim ndërkombëtar nga SPAK të premten, pasi akuzohet se është përfshirë në një operacion financiar për fshehjen e mbi 18 milionë eurove nga konfiskimi në Itali dhe pastrimin e tyre në Shqipëri.

SPAK njoftoi gjithashtu se kishte arrestuar ‘dy njerëzit e besuar’ të Taçit, Artur Balla dhe Bledar Lilo, të cilët akuzohen për veprat penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale”, “grupit të strukturuar kriminal” dhe “kryerjen e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”.

Sipas hetimit të zhvilluar nga drejtoria Antimafia në Prokurorinë e Palermos dhe SPAK, operacioni financiar për pastrimin e parave është shtrirë në Itali, Zvicër dhe Tiranë.

Agjencia italiane e lajmeve, ANSA raportoi se si pjesë e këtij operacioni përfundoi në arrest shtëpiak sipërmarrësi 90 vjeçar italian, Francesco Zummo, i hetuar më parë nga magjistrati Giovanni Falcone si i dyshuar për favorizimin e organizatës mafioze “Cosa Nostra”.

Prokuroria e Palermos arrestoi gjithashtu kontabilistin Fabio Petruzzella, vëllai i një magjistrati palermitan që jeton dhe punon në Milano.

Sipas SPAK, skema financiare është drejtuar nga Zummo dhe Petruzella, në bashkëpunim me një shtetas zviceran me origjinë italiane dhe ish-bosin shqiptar të naftës, Rezart Taçi. Në njoftim sqarohet gjithashtu se transaksionet bankare të kryera nga të arrestuarit në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, janë realizuar pjesërisht pas ndërhyrjes së SPAK dhe sekuestrimit të 18 milionë eurove. Emri i bankës nuk është bërë i ditur nga prokuroria.

Hetimet kanë zbuluar se në këtë rast, bashkëpunëtorët shqiptarë do të merrnin një përqindje të caktuar për transferimin dhe fshehjen e shumës monetare.

Rezart Taçi njihet si biznesmen hidrokarburesh prej dy dekadash, por kulmin e tij e arriti gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike në vitet 2005-2013. Përmes një procesi të paqartë, ai arriti të blente kompaninë e përpunimit të naftës, ARMO, që e dorëzoi më pas tek azerët, me një mal me borxhe.

Në vitin 2012, Rezart Taçi qëndroi pas ofertës 850 milionë euro për privatizimin e kompanisë tjetër shtetërore të naftës, Albpetrol, por shuma nuk u derdh asnjëherë dhe kompania nuk u privatizua. I hetuar atëherë në Shqipëri për një sërë veprash penale, Taçi nuk u dërgua asnjëherë në  gjyq dhe u largua në drejtim të Zvicrës.

 


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *