November 28, 2021

Rifat Latifi, ministër i ri i Shëndetësisë në Kosovë

Shpërndaje lajmin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka emëruar sot doktor Rifat Latifin ministër të ri të Shëndetësisë.

“Unë si kryeministër posa kam nënshkruar vendimin për ministrin e ri të Shëndetësisë. Ministri i ri i Shëndetësisë do të jetë doktor Rifat Latifi”, ka thënë Kurti në një konferencë për media, përcjell albinfo.ch.

Kurti shtoi se doktor Latifi erdhi pardje nga Nju Jorku në Prishtinë. “Doktor Rifat Latifi ka lindur në Kllodernicë të Skenderajt. Ka studiuar për mjekësi në Universitetin e Prishtinës dhe ka kryer dy specializime për kirurgji të përgjithshme dhe traumatologji dhe reanimacion në SHBA. Përvoja e tij akademike dhe profesionale përshinë qendra spitalore dhe universitete me emër në disa shtete federale në SHBA. Doktor Latifi aktualisht punon si profesor i Departamentit të kirurgjisë në kolegjin e Nju Jorkut…”, tha Kurti.

“Faleminderit për nderin e madh që më keni bërë me këtë detyrë të jashtëzakonshme. Do të angazhohem me gjithë qenien për t’i ngritur standardet shëndetësore. Me ngritjen e kapaciteteve njerëzore, ne do të investojmë në rritjen e kualitetit të shërbimeve. Shërbimet do të krijojnë të ardhura, me të ardhurat e shërbimeve ne investojmë sërish në kualitet”, tha ministri i ri, Latifi.

Latifi jeton dhe vepron në SHBA. Ai, më 2009 ishte emëruar këshilltar për shëndetësi i kryeministrit të asaj kohe, Hashim Thaçi.

Latifi ka potencuar se vendit do t’i ofrojnë shërbimet e ndryshme për të rinjtë, mjekët, infermierët dhe të tjerëve, duke ndikuar në ngritjen profesionale.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *