Rigrupohen trupat ruse, ushtria ukrainase: Kanë në fokus Donbasin e Mariupolin

Shpërndaje lajmin

Ministri i Brendshëm i Ukrainës, Denys Monastyrsky vizitoi qytetin Borodjanka ditën e shtunë. Ai vëzhgoi nga afër dëmet e shkaktuara nga pushtimi rus dhe se si shërbimet e emergjencës po kryejnë operacionet e pastrimit nga rrënojat.
Ndërkohë, ushtria ukrainase deklaroi se trupat ruse po vijojnë rigrupimin, me njësitë që po mblidhen në lindje të vendit.
“Në drejtim të Donetskut, armiku vazhdon operacionet agresive. Përpjekjet kryesore po fokusohen në marrjen nën kontroll të lokaliteteve Rubizhne, Nizhne, Popasnaja dhe në marrjen nën kontroll të qytetit të Mariupolit”, tha Oleksandr Shputun, zëdhënës i ushtrisë ukrainase.
Nga ana tjetër, ministria ruse e Mbrojtjes publikoi po të shtunën pamjet e avionëve të saj që qëllonin objektiva në territorin ukrainas. Ajo ka mohuar sulmet ndaj civilëve dhe ka akuzuar autoritetet në Kiev për provokime.
“Sipas të dhënave të konfirmuara, regjimi nacionalist në Kiev po përgatit një tjetër provokim për të akuzuar Rusinë për masakra të civilëve në Irpen. Ju kujtoj se njësitë e forcave të armatosura ruse u larguan nga ky lokalitet më shumë se një javë më parë”, deklaroi Igor Konashenkov, zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes, Rusi.
Autoritetet ukrainase dhe ato Perëndimore kanë akuzuar vazhdimisht forcat ruse për masakra që nga nisja e luftës më 24 shkurt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *