Rikthehet ‘Balkan Trafik’, festivali i kulturës ballkanase zbret në Belgjikë

Shpërndaje lajmin

Muzika ballkanase kthehet në Belgjikë. Pas dy vitesh bllokadë anti-COVID, festivali i muzikës “Balkan Trafik” po sjell 4 ditë të mbushura me ritëm, vallëzim dhe aktivitete kulturore.
Dhe për të festuar rikthimin, në skenë ka zbritur një nga muzikantët më të njohur të rajonit, Goran Bregovic, i shoqëruar nga orkestra e tij.
 “Ndihem mirë kur jam me ta. Ju e dini, sot mund të amplifikosh gjithçka nga skena përmes sistemeve pro akustike, si dhe të bësh gjithçka me dritat. Por orkestrën nuk mund ta amplifikosh”, tha Bregoviç.
Lindur në Sarajevë, realiteti i Bregoviç mori formë nga lufta e fundit në Jugosllavi, shumë kohë përpara pushtimit rus të Ukrainës.
“Lufta është diçka e paimagjinueshme. Në Sarajevë nuk mendohej kurrë se mund të kishte luftë. Por ja që ndodhi. Dhe një ditë ajo do të tregohet në librat me heronj dhe me rrëfime të bukura ushtarake. Por në të vërtetë lufta është mjerim dhe trishtim”, u shpreh ai.
Por festivali do të tregojë edhe gjërat pozitive që vijnë nga Ballkani, larg stereotipave të tij.
“Kur flitet për Ballkanin zakonisht temat janë prostitucioni ose trafiku i automjeteve. Por realiteti është ndryshe. Në Ballkan ka trafik, por ai i kulturës është i pari. Këtë synon të paraqesë ky festival”, tha Nicolas Wiewrs, organizator i festivalit.
Koncerti i parë i Bregoviç ishte në Namur. Por festivali zhvendoset këtë fundjavë në Bruksel, ku të pranishëm do të jenë mbi 3.500 spektatorë, që do mund të shijojnë koncerte, filma dhe ekspozita.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *