December 6, 2021

Rikthim në shtëpi: A mund ta ndreqë Prishtinën kaotike një arkitekt londinez?

Shpërndaje lajmin

Fitorja e Përparim Ramës në zgjedhjet për kryetar komune të Prishtinës shënon një rikthim të jashtëzakonshëm për arkitektin me bazë në Londër. Por a mund ta zbatojë ai ekspertizën e tij për të korrigjuar zgjerimin kaotik të qytetit?

Përparim Rama, kryetari i zgjedhur i Prishtinës. Foto: Urim Krasniqi/BIRN.

Si një arkitekt me qendër në Londër, Përparim Rama u ka dhënë çelësat e shtëpisë shumë klientëve të tij. Këtë të diel, ai hapi derën e qytetit ku lindi.

Me një diferencë prej vetëm 1700 votash, Rama mori kryesinë e Prishtinës në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, dhe i dha një goditje të madhe partisë qeverisëse, Lëvizja  Vetëvendosje, të kryeministrit Albin Kurti.

Për një kohë të gjatë një bastion i LDK-së, Prishtina u fitua nga Lëvizja Vetëvendosje tetë vjet më parë, e joshur nga një premtim për të zhdukur korrupsionin dhe fushatën e gjallë të kandidatit të ri për kryetar komune, të arsimuar në Harvard, Shpend Ahmeti.

Në zgjedhjet parlamentare në shkurt, Vetëvendosja fitoi më shumë se 65 për qind të votave në kryeqytet. Çfarë ndryshimi mund të bëjnë nëntë muaj.

Fitorja e Ramës shënon një rikthim të jashtëzakonshëm për arkitektin 45-vjeçar, i cili u largua për në Londër kur ishte ende adoleshent në vitin 1992, kur shqiptarët e Kosovës po shkolloheshin në fshehtësi dhe Jugosllavia ziente nga lufta.

Mbështetësit e tij shpresojnë që ai të mund ta aplikojë ekspertizën e tij në arkitekturë dhe planifikim urban në kryeqytetin kaotik të Kosovës, i goditur për vite me radhë nga zgjerimi i padisiplinuar dhe i çrregullt.

Analistët thonë se Rama mban mbi supe peshën e pritshmërisë.

“Një kryetar komune që është, le të themi, një ekonomist mund të argumentojë se ai nuk e kupton rëndësinë e aspektit vizual të një qyteti, por një arkitekt nuk mundet ta thotë këtë”, tha analisti Artan Muhaxhiri për RTK të martën.

“Në këtë aspekt, Përparim Rama ka shumë për të humbur sepse askush nuk do ta besonte se ai nuk e kupton aspektin vizual. Rama është marrë çdo ditë në profesionin e tij me aspektin vizual.”

Nga larja e enëve te projektimi i ndërtesave

Prishtina, kryeqyteti i Kosovës. Foto: BIRN.

Në vitin 1992, kur Rama u nis për në Londër, adoleshentët shqiptarë të Kosovës si ai po shkolloheshin në bodrume dhe garazhe, pjesë e një sistemi paralel që doli nga një politikë e rezistencës pasive të shqiptarëve të Kosovës ndaj represionit serb në provincën e atëhershme jugore serbe.

Lufta tashmë po gëlonte diku tjetër, në Bosnje dhe Kroaci, ndërsa Jugosllavia federale u shpërbë. Në Kosovë, nga fundi i viteve 1990, revolta e armatosur do të eklipsonte rezistencën pasive të ndjekur nga lideri i atëhershëm i LDK-së, Ibrahim Rugova, duke tërhequr një përgjigje brutale nga Serbia dhe përfundimisht ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999.

Ndërkohë në Londër Rama ia nisi nga fundi.

“Babai im mori një borxh prej rreth 3,000 markash gjermane (1,500 euro) që unë të shkoja në Londër”, tha ai për televizionin Klan Kosova në tetor. “Fillova të punoja si pjatalarëse dhe të shpërndaja fletushka në Londër për t’i kthyer paratë babait tim.”

“Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të qëndroja atje për 29 vjet, por Londra më formësoi.”

I diplomuar për arkitekturë, Rama u vendos në skenën arkitekturore londineze. Njëzet vjet pas emigrimit, ai u zgjodh për të kuruar paraqitjen e parë të Kosovës në Bienalen e Arkitekturës të Venecias.

Fitorja e famshme

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, Lumir Abdixhiku, duke folur në festën e fitores së kandidatit të LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, 14 nëntor 2021. Foto: BIRN/Adeline Ahmeti.

Kur LDK-ja e shpalli Ramën si kandidat për kryetar të Prishtinës, ai kishte shumë pak shanse.

Vetëm disa muaj më parë, Vetëvendosja kishte fituar në kryeqytet dhe në pjesën tjetër të Kosovës në një fitore dërrmuese në zgjedhjet parlamentare.

Në raundin e parë, më 17 tetor, Rama doli i dyti pas kandidatit të Vetëvendosjes, Arben Vitia, duke marrë 291 për qind. Kaq mjaftoi për ta çuar garën në një raund të dytë, në të cilin Rama arriti të shtonte 15,000 vota të tjera dhe të fitonte me një diferencën shumë të ngushtë – 51 për qind kundrejt 49 për qind të Vitisë.

Rama është zotuar të adresojë kaosin e ndërtimeve në Prishtinë, të krijojë zona të reja të gjelbra dhe të sigurojë më shumë parking. Ai gjithashtu i habiti të gjithë me një propozim për ta zhvendosur stadiumin kryesor sportiv jashtë qytetit dhe për të krijuar një liqen në një qytet që nuk ka një lumë.

“Nuk mund ta përshkruaj me fjalë emocionin e kësaj fitoreje. Kjo është një fitore e çdo banori, pa asnjë ndryshim”, tha Rama në fjalën e tij të fitores. “Vota juaj sot tregon se jemi të emancipuar. Vota juaj sot më jep privilegjin të jem kryetar i Prishtinës, e cila si kryeqytet i përket gjithë Kosovës.”

Tre ditë para balotazhit të zgjedhjeve, Rama tha për BIRN: “Unë e shoh sektorin e ndërtimit si një partner. Problemi nuk qëndron tek ata. Ai i takon komunës, sepse është komuna vendi ku duhet të vendosen rregullat.”

“Ndërtimi është pasioni dhe profesioni im dhe këtë sektor do ta shfrytëzoj për ta kthyer Prishtinën në një qytet me karakter unik në botë”, tha Rama. “Ne kemi nevojë për zhvillim, kemi nevojë për punësim. Ne duhet t’u tregojmë atyre se ku nuk mund të ndërtojnë dhe t’u hapim mundësi të reja ku mund të bëjnë aktivitetet e tyre.”


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *