“Rinia largohet, Rozeta pasurohet”, të rinjtë e PDK kërkojnë largimin e ministres

0
Shpërndaje lajmin

Të rinjtë e Partisë Demokratike të Kosovës këtë të mërkurë mbajtën një aksion simbolik përpara Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, lidhur me keqpërdorimin e qindra mijëra eurove të rezervave shtetërore të vajit, sheqerit dhe grurit nga ky institucion.
“Vaji dhe Polonia, si Rozeta e hajnia!”, “Rinia largohet, Rozeta pasurohet” ishin këto disa nga pankartat që të rinjtë mbajtën në duar përpara ministrisë.
Kryetarja e Rinisë Demokratike të Kosovës, Arbnora Salihu tha se ministria e industrisë me në krye ministren Rozeta Hajdari, ka shpërdoruar paratë publike.
“Përgjimet që lidhen specifikisht me vajin e sheqerin dëshmojnë se kjo ministri ka blerë vaji e sheqer mbi 300 mijë euro prej një kompanie polake. Paratë i kanë dhënë por vaji, sheqeri e gruri nuk janë asgjëkund. Ne po e zhvillojmë këtë aksion simbolik sepse kjo ministri në krye me Rozetën nuk ka treguar rezultat deri më tani por ka treguar vetëm keqmenaxhim e abuzim të parasë publike”, tha Arbnora Salihu, kryetare e Rinisë Demokratike të Kosovës.
Ata kërkuan dorëheqjen e ministres Hajdari dhe i bënë thirrje organeve që t’i hetojnë këto skandale korruptive.
“Po shihet qartë që qeveria Kurti me skandalet e njëpasnjëshme nuk ka kohë dhe as nuk e ka prioritet rininë. Ndaj ne kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të Rozeta Hajdarit dhe kërkojmë nga organet e rendit të hetojnë për këto skandale korruptive”, u shpreh Salihu.
Në fund të këtij aksioni të rinjtë e partisë më të madhe opozitare i vendosën pankartat para hyrjes së ministrisë dhe u larguan të qetë. E gjithë protesta u monitorua nga policia e Kosovës.
 
LEXONI GJITHASHTU:

Raporti i IDK: Në kuvendin e Kosovës problem mungesa e deputetëve në seancë
Shkrimtari Ismail Kadare merr nënshtetësinë e Kosovës

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *