Rregullimi i infrastrukturës hekurudhore në Kosovë është urgjente sipas inxhinierëve shqiptarë në Zvicër

0
Shpërndaje lajmin

Mësohet se së fundmi, asociacioni i inxhinierëve shqiptarë në Zvicër kanë apeluar për veprime të shpejta nga institucionet në Kosovë në infrastrukturën hekurudhore në vend për të krijuar një rrjet më të sigurt, përcjell albinfo.ch.
Thuhet se në fillim të marsit, dy persona vdiqën si pasojë e goditjes nga treni në një fshat të Klinës. Banorët lokalë ishin ankuar për mungesë të sinjalistikës.
Pas shtimit të rasteve të tilla në Kosovë, Asociacioni i Inxhinierëve Shqiptarë në Zvicër ka dalë me thirrje për autoritetet qendrore e lokale të Kosovës.
“Kalimet e shinave mbeten zonat kritike ku përplasja mes trenave, mjeteve rrugore dhe këmbësorëve mund të shkaktojë pasojat tragjike. Rritja e aksidenteve në Kosovë, megjithëse pa statistika të sakta, tregon nevojën për një veprim të menjëhershëm. Duke pasur parasysh vjetërsinë e makinave, gjendjen e rrjetit hekurudhor dhe mirëmbajtjen e dobët, është kohë për veprime të menjëhershme nga niveli qendror, nga kompanitë përkatëse InfraKos, TrainKos, niveli lokal dhe shoqëria civile për sensibilizim dhe angazhim ndaj rreziqeve të sistemit hekurudhor”, thuhet në letrën e këtij Asociacioni.
Siç kanë thënë këta inxhinierë, rrjeti hekurudhor në Kosovë është shumë larg standardeve evropiane për t’i plotësuar kushtet për operim. “Rrjeti komunikues, i cili bën lidhjen mes infrastrukturës dhe mjeteve lëvizëse, është inekzistent, çka e komplikon edhe operimin dhe si rrjedhojë shohim aksidente gjithnjë e në rritje”, thuhet në letër.
“Pra, duke mos pasur një rrjet të mirëfilltë hekurudhor që nga paslufta, kjo ka bërë që gjeneratat të privohen nga një infrastrukturë e tillë. Prandaj rreziqet që vijnë nga qarkullimi i trenave në binar nuk janë të njohura si duhet. Duke konsideruar këto probleme dhe koston e lartë të infrastrukturës, investimet sporadike duhet zëvendësuar me hapa të shpejtë për të bërë sektorin më të kuptueshëm për komunitetin. Ngjarjet tragjike të fundit tregojnë nevojën për rishikim të standardeve aktuale të sigurisë dhe investim në zgjidhje më efikase. Aksidentet, shpesh herë me pasoja fatale, lënë gjurme të pashlyeshme për qytetarin i cili i vuan pasojat direkt, por këtu nuk duhet harruar assesi dhe punonjësit dhe drejtuesit e këtyre trenave të cilët me shumë vështirësi bëjnë punën e tyre dhe të cilët kanë nevojë për një trajtim të vazhdueshëm për të minimizuar traumat”, thuhet tutje në apel.
Ky Asociacion ka thënë se për t’i zvogëluar menjëherë fatkeqësitë, duhen investime për sinjalistikë.
“Mjetet si ndriçues më të fuqishëm, sinjale tingulli të përforcuara dhe panele paralajmëruese mund të ndihmojnë në reduktimin e aksidenteve, janë me kosto relativisht të ulët dhe shpejt të implementueshme. Fushatat e sensibilizimit mund të jenë një instrument efikas për edukimin e drejtuesve të mjeteve lëvizëse, të këmbësorëve në bashkëpunim me policinë e Kosovës si institucion përgjegjës për mbajtjen e rendit rrugor”, thuhet në apelin e Asociacionit.
Si masë në afat të mesme dhe të gjatë, Asociacioni ka thënë se duhet bërë hulumtim të përgjithshëm e të analizohen thellësisht nevojat e përgjithshme që rrjeti të jetë i pasur me teknologji të avancuar.
“Parandalimi duhet të jetë një përkushtim kolektiv. Autoritetet duhet të intensifikojnë programet e sensibilizimit duke filluar nga shkollat e deri tek drejtuesit e mjeteve lëvizëse. Përdoruesit duhet të respektojnë rregullat e sigurisë në kalimet e hekurudhës për të garantuar sigurinë e tyre dhe të të tjerëve. Si përfundim, është e domosdoshme të trajtojmë çështjen e kalimeve hekurudhore me një vendosmëri dhe qasje të re. Me një përkushtim kolektiv, mund të kthejmë rrjetin tonë hekurudhor në një shembull global të sigurisë dhe efikasitetit”, përfundon apeli i tyre.
 
 
 
 
 
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *