Rritja e ekstremizmit dhe mosbesimit ndaj autoriteteve shton dhunën politike në BE

0
Shpërndaje lajmin

Dhuna politike është në rritje në Evropë. Sulmi i së mërkurës ndaj kryeministrit sllovak shënoi një pikë kthese që nuk shihej prej vitesh.
Prej shumë kohësh, vendet anëtare kanë parë rritjen e akteve të dhunës dhe të shkallës së agresivitetit të tyre. Klima e përgjithshme politike, me rritjen e ekstremistëve nga të dyja krahët, të djathtë e të majtë, si dhe afrimi i zgjedhjeve evropiane shpjegojnë pjesërisht këto episode, por rrënjët e së keqes janë më të thella.
“Është e vërtetë se nga njëra anë në zgjedhje po shohim rritjen e ekstremistëve, si majtas edhe djathtas, që përdorin një gjuhë politike të shfrenuar, me një dhunë verbale dhe sulme edhe në debatet politike. Dhe më pas kemi radikalizimin dhe polarizimin e shoqërisë dhe një vështirësi në debatet me kundërshtarët politikë, që shpesh kthehen në armiq”, thotë Eric Maurice, studiues në Qendrën për Politikat Evropiane.
Që nga fillimi i vitit, 22 persona janë sulmuar në Gjermani, përfshirë ligjvënësin evropian Matthias Ecke, nga Social-Demokratët. Dhuna fizike dhe verbale ndaj të zgjedhurve është dyfishuar në këtë vend në 5 vitet e fundit. Sipas policisë federale gjermane, 2790 incidente u kryen vetëm vitin e kaluar.
Dukuria është identike në Francë. Sipas Ministrisë së Brendshme, në vitin 2022 ka pasur 2 mijë e 265 denoncime, me një rritje prej 32 për qind krahasuar me 2021-shin. Dhe sipas autoriteteve, 2023-shi ka qenë edhe më shqetësues, me 2 mijë e 387 sulme të dhunshme, të raportuara në muajt e parë. Sidoqoftë, faktorët që fshihen prapa kësaj dhune janë multidimensionalë.
“Në thelb janë edhe kushtet sociale ku kjo atmosferë zhvillohet. Përse shumë njerëz janë kaq të ndjeshëm ndaj keqinformimit apo teorive konspirative për shembull? Sepse nuk u besojnë më autoriteteve. Kjo është një çështje shumë komplekse. Ekziston ndjesia e cënueshmërisë, ndjesia se njerëzit nuk merren në konsideratë nga autoritetet. Shkak mund të jetë gjendja e tyre ekonomike, gjendja personale, apo gjëra të tjera më intime, por që përkthehen në një mosbesim të racës njerëzore kundër autoriteteve”, shprehet Maurice.
Rreziku për demokracinë evropiane konsiston edhe në faktin se shumë njerëz nuk do të përfshihen në politikë, apo të garojnë për një post nga frika e kësaj dhune.
 
LEXONI GJITHASHTU:

Zemërimi pushton Sllovakinë, çfarë paralajmëroi Fico para atentatit
Si do të ndikojë atentati ndaj kryeministrit Fico në zgjedhjet e qershorit në BE

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *