April 16, 2021
Shpërndaje lajmin

Zyra Federale e Statistikave ka azhurnuar statistikat zvicerane të krimeve. Në statistikat e aktualizuara shihet se ka pasur rritje në veçanti sa i përket dhunës serioze, delikuencës së të miturve dhe veprave të grabitjes.

Në vitin 2020, të karakterizuar nga pandemia e koronavirusit, krimet që përfshijnë përdorimin e dhunës së rëndë janë rritur veçanërisht shumë. Kështu, numri i tentimvrasjeve është rritur për 20 për qind në krahasim me vitin e kaluar.

Kështu thuhet në raportin vjetor të statistikave policore të krimit (PKS), të cilin Zyra Federale e Statistikave (BFS) e ka publikuar të hënën.

Gjatë vitit të kaluar ka pasur gjithashtu një rritje të krimeve kundër integritetit seksual – si dhe krimeve të kryera nga njerëz nën moshën 18 vjeç

Krimet e rënda, të dhunshme

Vitin e kaluar, janë raportuar gjithsej 1668 krime të rënda të dhunshme që është 137 më shumë se në vitin 2019 (+8.9 për qind), transmeton albinfo.ch.

Rritja në fjalë ka ndodhur kryesisht për shkak të rritjes së vrasjeve në tentativë (+45 krime), përdhunimit (+34) dhe lëndimit të rëndë trupor (+32).

Numri i rasteve të grabitjeve serioze është rritur madje 329 për qind. Kështu, nëse në vitin 2019 janë raportuar vetëm shtatë grabitje, bë vitin 2020 janë raportuar 30 sosh.

Dhuna seksuale

Ka pasur gjithashtu një rritje të ndjeshme të numrit të krimeve kundër integritetit seksual. Në vitin pandemik janë marrë 8 për qind më shumë raporte të veprimeve seksuale me fëmijë (1257 raste, + 8%).

Autoriteteve gjithashtu u është dashur të ndërhynin më shpesh se një vit më parë, për rastet e sulmeve seksuale (683 raste, + 9%), përdhunimeve (713 raste, 5%) dhe ekzibicionizmit (580 raste, + 12%).

Është rritur gjithashtu edhe numri i rasteve të ngacmimeve seksuale të regjistruara nga policia. Sipas statistikave më të reja, behet fjalë për një rritje nga 1243 në 1435  raste (+15 për qind).

Dhuna në familje

Në vitin 2020, tentimvrasjet në brenda dhunës në familje janë rritur për një të pestën: 28 njerëz kanë vdekur, 61 kanë mbijetuar, 43 prej të cilëve ishin gra dhe vajza. Kështu, ndërsa në vitin 2019 ishin regjistruar 19,669 krime të lidhura me dhunën në familje, në “vitin e koronës” janë raportuar 20,123 raste.

Delikuenca e të miturve

Është rritur gjithashtu edhe numri i krimeve të kryera nga të rinjtë nën moshën 18 vjeç. Vihet re që të miturit po ushtrojnë dhunë gjithnjë e më serioze: Për shembull, në rastin e vrasjeve në tentativë dhe atyre të përfunduara, numri i krimeve të kryera me thika ose armë të tjera therëse është trefishuar (36 raste), trasnmeton albinfo.ch. Sipas shifrave të reja, në konfrontimet serioze të dhunshme tani po përdoren më pak grushtet, por gjithnjë e më shumë armë prerëse, goditëse ose therrëse.

Sipas statistikave të krimit, të rinjtë janë përfshirë dukshëm më shumë se një vit më parë, në sulme ndaj njerëzve të tjerë (468 raste, +75) ose grabitje (648 raste, +213).

Delikuenca e të miturve është rritur në mënyrë të vazhdueshme që nga viti 2015, por është për t’u habitur që trendi vazhdon edhe në vitin e pandemisë, thotë Dirk Baier, kreu i Institutit për Delikuencë dhe Parandalimin e Krimit në ZHAW.

“Megjithëse, të paktën gjatë gjashtë javëve të fundit ishim të kufizuar në një zonë të ngushtë gjeografike, dhuna në hapësirat publike ështe rritur”, përcjell albinfo.ch. Zhgënjimi dhe stresi i madh në lidhje me masat e koronës kanë luajtur një rol këtu: “Të rinjtë i përjetojnë më ashpër kufizimet aktuale”, thotë eksperti.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *