Rumania dhe Bullgaria në Zonën Schengen

0
Shpërndaje lajmin

Rumania dhe Bullgaria u bashkuan me zonën Schengen këtë të diel dhe rregullat përkatëse do të aplikohen për pasagjerët që udhëtojnë në rrugë ajrore dhe detare.
Dy vendet do fillojnë të japin viza Schengen për vendet e treta duke nisur nga 1 prilli, duke e bërë zonën e lëvizjes së lirë me 29 anëtarë.
Për kalimet në rrugë tokësore, kontrolli i pasaportave do të vazhdojë për shkak të një vetoje të vendosur nga Austria. Vjena zyrtare kishte shprehur shqetësime serioze mbi aftësinë e Sofjes dhe Bukureshtit për të ndalur emigracionin ilegal. Për këtë arsye, dy vendet premtuan forcimin e kontrolleve kufitare, shkruan Euronews, transmeton albinfo.ch.
Bullgaria dhe Rumania u bashkuan me BE-në në vitin 2007 dhe në 2011-n Komisioni Evropian deklaroi se të dyja ishin teknikisht gati t’i bashkoheshin edhe Schengenit. Por një vendim i tillë nuk u mor deri në dhjetor të 2023-shit. Austria e kundërshtoi ashpër atë dhe në 2022-shin vendosi edhe një veto bashkë me Holandën.
Zona Schengen tani do të përbëhet nga 29 anëtarë – 25 nga 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni.
Qeveria e Rumanisë tha se rregullat e Schengenit do të zbatohen për katër porte detare dhe 17 aeroporte, duke përfshirë aeroportin më të madh Otopeni të Bukureshtit.
Policia kufitare dhe oficerë të emigracionit do të vendosen për të mbështetur pasagjerët dhe do të kryhen kontrolle të rastësishme për të zbuluar personat me dokumente false.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *