Rusia bombardon qytetin në Ukrainë, 8 të vrarë, mes tyre një fëmijë

0
Shpërndaje lajmin

Bombardimet ruse ndaj një godine të banuar në qytetin lindor të Slovianskut, në Ukrainë, kanë vrarë të paktën 8 persona dhe plagosur 21 të tjerë.
Mes viktimave rezulton edhe një fëmijë, i cili vdiq në një autoambulancë rrugës për në spital, pasi u nxor nga rrënojat.
Guvernatori i rajonit të Donjeckut raportoi se 7 raketa ruse të modelit “S-300” ishin qëlluar gjithësej në Sloviansk.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u bëri ngushëllimet e tij familjeve të viktimave dhe tha se, as edhe një orë e vetme e kësaj jave të Pashkës nuk kishte kaluar pa vrasjet dhe terrorin e trupave ruse.
“Operacionet e shpëtimit në Sloviansk janë në zhvillim e sipër. Ishte një tjetër sulm terrorist. Raketat “S-300” qëlluan zonat e banuara nga civilët”, deklaroi Zelensky në fjalimin e tij.
Me mercenarët rusë që po avancojnë në perëndim nga qyteti i Bakhmutit, Ukraina po përgatit trupat e saj për një kundër-ofensivë në shkallë të gjerë.
Ministria britanike e Mbrojtjes ka deklaruar se Kievi vazhdon të ketë nën kontroll pjesën perëndimore të qytetit, por shton se Moska po bëhet gati të avancojë sulmet me artileri.
Sloviansku ndodhet në një pjesë të rajonit të Donjeckut që është nën kontrollin ukrainas dhe fare pranë territorit të kontrolluar nga Rusia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *