Sa do kushtojnë zgjedhjet e 25 prillit? Celibashi zbulon shifrën e pabesueshme

Share

Mbrëmjen e sotme, Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi dha detaje sa i përket procesit të votimit, kostove të tij dhe implementimit të teknologjisë më 25 prill.

Pas 16 vitesh i rikthyer në krye të këtij institucioni, Celibashi shtoi se KQZ nuk është më një institucion siç jemi mësuar ta shohim, por një organizëm me tre struktura.

Në studion e emisionit “Java në RTSH”, Celibashi u shpreh optimist edhe për situatën post-zgjedhore të 25 prillit.

“Unë shoh mundësi dhe shans që këto zgjedhje do të zhvillohen jo vetëm në përputhje me Kodin, por edhe do të pranohen nga të gjithë. Mendoj që edhe humbësi nuk do të ketë pretendime rreth votimeve dhe teknologjisë” – tha ai.

Celibashi shtoi se KQZ ka një rol të rëndësishëm sa i përket procesit, por klima që krijojnë partitë politike ka ndikimin e saj.

Për fat të keq situate politike është shumë konfliktuale dhe nuk krijon komoditet për institucionin që administron zgjedhjet.

Por jemi përpjekur të paktën deri tani që me aktet tona apo gjestet të kontribuojmë në krijimin e një klime të mirë sa i përket përgatitjes së zgjedhjeve.

Edhe pse duket sikur ka një lloj antagonizmi të ashpër politik, për sa kohë unë jam në këtë funksion, ka një angazhim serioz dhe të përgjegjshëm të të gjitha palëve” – deklaroi ai.

Në panelin me analistët Preç Zogaj dhe Lorenc Vangjeli, Celibashi dha detaje duke folur për kostot e procesit të votimit.

“Kostot janë të larta, janë rreth 10 milionë dollarë për një proces zgjedhor normal, pa llogaritur implementimin e teknologjisë. Ndërsa sa i përket përfshirjes së teknologjisë ato nuk janë kosto veç për këto zgjedhje, por për të paktën 5 procese.

Identifikimin elektronik e kanë për detyrë komisionet ta zbatojnë në 100% të territorit, ndërsa votimin elektronik pritet të aplikohet si projekt pilot në disa zona sipas dakordësive. Por koha ka qenë komplet kundër nesh dhe nuk di ndonjë vend të dytë që teknologjia të jetë zbatuar kaq shpejt sa në rastin e Shqipërisë.

Megjithatë unë mendoj se deri diku ia kemi dalë” – tha Ilirjan Celibashi.


Share

Komente