Sa përkrahet përfaqësuesja kosovare nga shqiptarët e Zvicrës?

Shpërndaje lajmin

Ishte shoqërues i rregullt i Fadil Vokrri-t, Nehat Sabedini, njihet për mikpritjen e tij zemergjerë dhe lidhjet e forta me futbollistët më të njohur shqiptarë. Pjesa më e madhe të artistëve që frekuentojnë Zvicrën dhe aty këtu edhe politikanë kosovarë, i “shkojnë në konak” gjilanasit që reflekton pozitivitet dhe ka një zemër të madhe mikpritjeje për secilin mysafir.
Restoranti i tij në fakt është vazhdimisht i mbushur me mysafirë të të gjitha nacionaliteteve, ushqimi dhe shërbimi janë fenomenalë. Kurse muret e restorantit të tij janë të mbushura me figura kombëtare e me fanela të pothujase të gjithë futbollistëve shqiptarë që frekuentojnë restorantin “Esquinën” në Lörrach të Gjermanisë. Ky qytet është mu në kufi me Zvicrën dhe jo larg Baselit- qytetit të njohur për futboll, nga i cili kanë dalë shumë futbollistë të njohur shqiptarë, si Shaqiri, Xhaka, vëllëzerit Ajeti dhe të tjerë. Të gjithë këta e shumë futbollistë të tjerë, janë mysafire të rregullt të Nehatit. Lidhja e tij me futbollistë është e hershme dhe e fortë, por më e fortë e më e hershme ishte lidhja e tij me legjendën e futbollit tonë, ish-presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrin. Në fakt, adresa e parë ndaluese për Vokrrin ishte tek Nehat Sabedini dhe ky kujton ende me krenari shumë detaje nga takimet me Vokrrin e ndjerë.
“Sa herë që i ndjeri qëndronte në Zvicër, pikëtakim të parë kishte restorantin që unë e drejtoja, “Papa Joe” në Basel. Kam shumë kujtime me Vokrrin, mirëpo nuk e harroj kurrë momentin e parë kur e kam takuar, në vitin 2008. Fadil Vokrri kishte pasur një takim në FIFA dhe erdhi me një shqiptar tjetër në restorant. Aty më takoi mua për herë të parë, isha duke punuar, por me pantollona të shqyer e një kapele në kokë. Kjo nuk i pëlqu atij, nuk i erdhi mirë hiç kur më pa ashtu, se ai nuk i ka pasur qejf këto gjëra”. Kështu i kujton Nehati reagimet e Vokrrit, i cili i kishte kërkuar ta dërgonte në një hotel në Cyrih dhe ta merrte të nesërmen në mëngjes për të vazhduar në Lyon të Francës dhe prapë në Zvicër.
“Me ikjen e Vokrrit, ka rënë niveli”
Që nga ajo kohë Fadili nuk ka kaluar asnjherë Zvicrën pa e vizituar Nehatin, i cili gjatë viteve ka ndërmjetesuar edhe me futbollistë tjerë shqiptarë për t‘ju bashkuar kombëtares së Kosovës. Madje, ka pritur edhe Federatën e Futbollit të Kosovës disa herë në restorantin e tij.

“Pothuajse të gjithë futbollistët e artistët, por edhe grupi humoristik “Stupcat” e këngëtarët si Dani, Sabri Fejzullahu, Sinan Vllasaliu, Gili, Meda e plotë të tjerë kanë qenë disa herë tek unë”, tregon Nehati në prag të ndeshjes së madhe miqësore mes Zvicrës e Kosovës. Dhe au nuk e fsheh mërzinë që ekipi i Kosovës aktualisht nuk është në ditët më të mira të tij edhe si pasojë e vdekjes së Fadil Vokrrit, i cili cilësohej lokomotiva tërheqëse e përfaqësueses së Kosovës.
“Me disa gjëra jam i zhgënjyer. Me vdekjen e Fadil Vokrrit ka rënë niveli, është dobësuar komunikimi me jashtë, organizimi është shumë më i dobët dhe nuk ka vullnet për t’i ruajtur raportet e mira që kishte krijuar i ndjeri Fadil Vokrri me shumë aktivistë e kontribues të futbollit. Me Vokrrin ka qenë ndryshe, kur jemi ulur në një tavolinë me një lojtar, Fadili e ka bindur, e ka bërë për vete, kushdo të ketë qenë ai, me fjalorin me aftësitë e veta. Sot nuk është më kështu”, konstaton me keqardhje njëri nga ata djemtë e mërgatës që ka hapur dyert e ka mirëpritur çdo delegacion e përfaqësues të futbollit të Kosovës.
“Po shihen rezultatet. Motivimi e gjërat e tjera kur ka qenë Fadil Vokrri ka qenë krejt ndryshe. Ndeshja është e mire për Kosovën, pasi kohëve të fundit ka rënë shumë morali”, vëren ai.
Ndeshja e ardhshme ka rëndësi për ngritjen e moralit të Kombëtares së Kosovës
“Kjo ndeshje mund ta ngrejë moralin e Kosovës ndonëse nuk pres shumë nga emërimi i trajnerit të ri. Pasi futbolli po ndryshon çdo ditë; mënyra e lojës, taktikat… dhe futbolli i Zvicrës po flitet që është mbrapa në këtë aspekt. Pra po flitet e po kritikohen klubet e mëdha e lëre më për këtë trajner që tashmë i ka 70 vjet dhe nuk e kupton atë. Zvicra është e fortë për Kosovën, është tjetër gjë, tjetër kualitet. Rezultati mund të jetë 2 deri 3 me 0, por unë normalisht që do të bëj tifo për Kosovën e të lutem që ajo të fitojë”. Tek e thotë këtë, Nehat Sabedini bën me gisht nga një lojtar i ri i Bazelit, shqiptari që do të shpërthejë, “mbane mend këtë lojtar të ri, 15 vjeçarin Demir Xhemajlin, i cili luan te FC Baseli U16. Ai kërkohet nga shumë klube të mëdha e do të bëhet një futbollist i madh. Si i tillë ky futbollist i ri e me perspektivë, mund të vesh edhe fanelën e Kosovës. Por, nga puna e serioziteti që po shoh te FFK, Demiri do të veshë fanelën e Zvicrës”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.