Saga e Spitalit të Fierit, premtimi elektoral i përsëritur në 4,5 vite. “Anije shpëtimi” qeveria turke

Share

Vizita e kryeministrit Edi Rama në Ankara më 6 janar u shoqërua me premtimin e Presidentit të Turqisë, Erdogan, për ndërtimin brenda tre muajve të një spitali rajonal në Fier.

Teksa kryeministri Edi Rama shprehu skepticizmin nëse do të arrihej që spitali të ndërtohej brenda tre muajve, Presidenti turk u zotua se ai do të përfundonte para datës së zgjedhjeve, më 25 prill. 

“Jam i lumtur që së shpejti edhe Spitali Rajonal i Fierit do të jetë realitet. Tani, bastet në Turqi dhe në Shqipëri janë të ndaluara me ligj, nuk mund të vinim bast me Presidentin, por basti i Presidentit që Spitali Rajonal i Fierit të jetë gati për tre muaj është një bast shumë i fortë”, tha Rama.

Ky investim ishte premtim elektoral gjatë përgatitjes për mandatin e dytë të socialistëve. Më 13 korrik 2016, kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi, premtoi ndërtimin e një spitali.  

Edhe pas ardhjes në pushtet për katër vite të tjera, socialistët vijonin të premtonin sërish ndërtimin e Spitalit e Fierit. Pasi mori garanci nga qeveria turke dhe në prag të përgatitjeve për zgjedhjet elektorale në vend, kryeministri Edi Rama riartikuloi të njëjtën dëshirë për ngritjen e Spitalit të Fierit, këtë herë drejtuar investitorëve turq.

Sa i përket numrit të shtretërve për banorë, Shqipëria është e disavantazhuar nga vendet e rajonit. Sipas Bankës Botërore, Shqipëria ka 3 shtretër spitalorë për çdo 1 000 banorë, ndërsa vendet e rajonit kanë mesatarisht 6,4 shtretër për 1 000 banorë. Fondi Monetar Ndërkombëtar, në fund të vitit 2019, e renditi vendin në fund të klasifikimit europian, ku vetëm Kosova renditej më keq se Shqipëria për sa i përket investimeve në shëndetësi. Sipas kësaj renditjeje, Shqipëria shpenzon më pak se çdo vend i rajonit për shëndetin e popullatës, vetëm 2,8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Bosnja akordon 6,9% të fondeve në raport me PBB-në për shërbimet publike të shëndetësisë, Kroacia 6,4%, Maqedonia e Veriut 4,3%, Mali i Zi 4% dhe Serbia 6,1%.  

Por, a i duhet realisht Fierit një spital i dytë dhe çfarë do të ndodhë me atë ekzistuesin?! Kjo është pikpyetja që do të na shoqërojë deri në vënien në punë të kësaj strukture të re spitalore. 


Share

Komente