December 1, 2021

Saga e vrasjeve, nga Gaxha, Malko dhe Erigers Mihasi, si u ekzekutuan miqtë e Ervis Martinajt

Shpërndaje lajmin

Krimi i ndodhur mbrëmjen e sotme në Tiranë duket të ketë qenë i paralajmëruar për shkak të precedentëve të shumtë penalë ku ishte i përfshirë viktima Erigers Mihasi. I njohur si miku i Ervis Martinajt, ai kishte qenë disa herë i arrestuar dhe shpallur në kërkim për grabitje dhe ngjarje të tjera kriminale.

Tre vite më parë u shoqërua për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen e ndodhur në lokalin Monopol, në ish-Bllok. Ai kishte qenë i arrestuar edhe si person i dyshuar për grabitjen dhe torturimin e prindërve të Elton Çiços në Tepelenë, por gjykata e liroi nga qelia për mungesë provash.

Në qershor të vitit të kaluar Erigers Mihasi u shpall në kërkim nga policia në lidhje me arsenalin e armëve të gjetura në Yrshek në banesën e Gëzim Harokut.  Mihasi ishte mik i ngushtë edhe me Santiago Malkon, ish-policin e vrarë në Porcelan më 27 gusht 2019, me të cilin dyshohet se kanë qenë autor të plagosjes me armë ndaj kushërinjve Rivelino dhe Juxhin Mumajesi në Tiranë në 2018, ku nga sulmi mbeti i plagosur edhe shoku i tyre Ibrahim Durollari.

 Vrasja e Santiago Malkos

Santiago Malko u vra në zonën e Porcelanit në gusht të vitit 2019 teksa u qëllua në makinën e tij BMW X5. Santiago Malko, ish-punonjës policie kishte qenë më parë i arrestuar dhe i shpallur në kërkim për shkak të përfshirjes së tij në ngjarjen e 4 Tetorit në ish-bllok, ku kishte qenë së bashku me Ervis Martinajn. Në lidhje me vrasjen e tij është arrestuar Blendi Teta.

Vrasja e Fabian Gaxhës

Fabian Gaxha u vra në lokalin “Monopol” në ish-Bllok në 4 tetor të vitit 2018 pas një përplasje mes dy grupeve. Gaxha ishte i shoqëruar bashkë me mikun e tij Ervis Martinaj, ku pas një konflikti mes palëve, u vra me armë zjarri nga Mervjol Billo, truproja i Ervin Matës. Të plagosur mbetën edhe Ervis Martinaj si dhe miku i tyre Eljo Hato. /Abcnews.al


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *