September 25, 2021

Seanca dëgjimore ndaj Dritan Ginës shtyhet pas kërkesës për përjashtim trupe

Shpërndaje lajmin

Pretendimi i prokurorit Dritan Gina se një kërkesës e tij – që rezultoi sipas trupës e paregjistruar në protokollin e KPK-së, për përjashtim e dy anëtarëve, solli një sërë ndërprerjesh dhe përfundimisht shtyrjen e seancës dëgjimore.

Prokurori Dritan Gina

Seanca dëgjimore e planifikuar të hënën në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit ndaj prokurorit Dritan Gina nuk shkoi përtej leximit të procedurës. Gina dhe avokati Eno Bushi, kur u pyetën nëse ishin njohur me materialet pretenduan se një kërkesë për përjashtimin e kryesueses së trupës, Etleda Çiftja dhe relatores Xhesila Pine, e bërë në maj 2020 nuk kishte marrë përgjigje.

Sipas Ginës dy kërkesa të ndryshme, njëra për përjashtim të Valbona Sanxhaktarit më vete dhe tjetra për përjashtim të Etleda Çiftjas dhe Xhesila Pines, ishin depozituar në KPK në të njëjtën ditë dhe orë. Ai tha se kërkesat ishin pranuar nga i njëjti person në KPK. Nga diskutimi rezultoi se njëra nga kërkesat, ajo për përjashtimin e Sanxhaktarit ishte shqyrtuar dhe rrëzuar, ndërsa për tjetrën nuk kishte përgjigje.

Parashtrimi i avokatit dhe më pas i Ginës në lidhje me mungesën e përgjigjes për këtë kërkesë u duk se habiti anëtarët e trupës, e cila u tërhoq të verifikonte problemin bazuar mbi një faturë postare të depozituar nga Gina.

Kur u kthye në sallë 10 minuta më vonë kryesuesja vuri në dijeni se bazuar në faturën postare rezultonte e regjistruar në KPK vetëm kërkesa për përjashtimin e Sanxhaktarit dhe nuk kishte kërkesë tjetër. Avokati i Ginës pretendoi aty për aty se në momentin e dorëzimit i kishte dhënë pa dashje KPK-së faturën e gabuar. Ai dorëzoi një faturë tjetër dhe Komisioni u tërhoq sërish për verifikim.

10 minuta më vonë trupa u kthye në sallë me të njëjtën përgjigje. Me faturën e postës, datën, orën e përcaktuar, nuk kishte të protokolluar në Komision asnjë kërkesë për përjashtim të dy anëtareve të trupës. Kryesuesja i tha Ginës që ai sidoqoftë kishte mundësi të përsëriste këtë kërkesë nëse e shihte të arsyeshme.

Prokurori, i cili duket se kishte gati një përgjigje me shkrim për këtë situatë, lexoi se për shkak se kërkesa e majit 2020, që sipas tij ishin “fshehur qëllimisht”, nuk kishte marrë përgjigje, hetimet ndaj tij ishin “null”.

Gina lexoi një sërë veprimesh të ndërmarra nga trupa që e ka hetuar dhe këmbënguli se ato nuk duhej të konsideroheshin dhe se i gjithë hetimi duhej të rrëzohej. Sipas Ginës mosshqyrtimi i kërkesës për përjashtim të dy anëtarëve të trupës e bënte të pavlefshëm hetimin.

Gina tha në seancë se ai nuk donte ta përsëriste kërkesën për përjashtim.

“Kërkesa që unë kam bërë në të njëjtën ditë dhe orë me kërkesën për përjashtimin e anëtares Sanxhaktari duhej të ishte shqyrtuar brenda tre ditëve”, tha Gina.

Ai këmbënguli se ajo nuk mund të përsëritej dhe avokati i tij shtoi se kërkesa ishte bërë në rrethana të caktuara që kishin ndryshuar.

Në mënyrë evazive ai shtoi se e vetmja kërkesë e re e tij ishte që trupa tw merrte nw konsideratw nwse kishte apo jo njohje me avokatin mbrojtws dhe nwse anëtarët e saj kishin nw konflikt interesi dhe nëse e shihnin të arsyeshme të jepnin dorëheqjen.

Relatorja Xhesila Pine pyeti në këtë moment Ginën se pse kërkesa për përjashtim të tre anëtarëve të trupës ishte ndarë në dy pjesë, pasi në të njëjtën kërkesë mund të vendosje më shumë se një objekt. Pine po ashtu pyeti Ginën se përse në kërkesën për përjashtim të Sanxhaktarit ajo referohej si relatore, kur në fakt ishte anëtare.

Gina tha se forma kishte të bënte me mënyrën se si ai e kishte menduar kërkesën. Ai këmbënguli se kjo s’kishte të bënte me rolet e anëtarëve. Këmbëngulja e Pines për të kuptuar kërkesat e veçanta, u ndërpre nga Çiftja që njoftoi tërheqjen e tretë të trupës për të shqyrtuar pretendimet.

Pasi u tërhoq për gati 15 minuta trupa njoftoi se pas shqyrtimit të pretendimeve nga Gina nuk kishte asnjë ndryshim dhe kërkoi të vijonte seancën. Kryesuesja Çiftja  tha se do ia kalonte fjalën relatores, për të vijuar me prezantimin e gjetjeve.

Në këtë moment  vetë Gina dhe më pas avokati kërkuan përjashtimin e të tre anëtarëve, për shkak se pretenduan njëanësi të tyre. Ata kërkuan po ashtu kohë për të paraqitur kërkesën me shkrim, pasi thanë se nuk e kishin pritur qëndrimin. KPK u tërhoq për herë të katërt dhe njoftoi shtyrje të seancës për një kohë të pacaktuar, ndërsa i dha Ginës kohë deri të martën në orën 10.00 të paraqiste kërkesën për përjashtim.

Dritan Gina përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2003 dhe u emërua si prokuror në Prokurorinë e Lushnjes. Më pas, ai e ushtroi funksionin si prokuror në Prokurorinë e Durrësit, drejtues i komanduar i Prokurorisë së Elbasanit dhe prokuror në Tiranë.

Në maj 2018, Dritan Gina dhe bashkëshortja e tij, Rovena Gashi u pezulluan nga detyra nga kryeprokurorja e kohës, Arta Marku, pasi Prokuroria e Durrësit i procedoi ata për veprën penale të fshehjes së pasurisë.

Bashkëshortët Gashi dhe Gina e kontestuan në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Markut, por kërkesa e tyre nuk u mor parasysh. Ndërsa procedimi penal u mbyll pa rezultate, bashkëshortja e subjektit, Rovena Gashi u shkarkua nga vetingu për “deklarim të pamjaftueshëm” të pasurisë.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *