Seedorf “kritik” ndaj teknikut spanjoll: Guardiola ka stilin e tij, por ai nuk ka fituar Champions vitet e fundit
Ndër legjendat e shumta të botës së futbollit të pranishëm në Stamboll për të ndjekur nga afër finalen e madhe të UEFA Champions League, mes Manchester City e Inter është dhe ish-“arkitekti” i mesfushës, Clarence Seedorf.
I pranishëm në Stamboll, “tulipani” hollandez bëri një koment të shkurtër për supersfidën e mbrëmjes së nesërme, ku u shfaq shumë i “dyshimtë” drejt stilit të lojës, që tekniku i Manchester City, Pep Guardiola përdor.
“Guardiola ka stilin e tij, por ai nuk e ka fituar Champions League në vitet e fundit. Nuk jam duke zbritur Guardiola-n. Kam shumë respekt për të, por nuk ka vetëm një stil loje. Ka mënyra të tjera për të luajtur futboll.
Stili i Klopp është i ndryshëm nga ai i Ancelotti, ky i fundit është ndryshe nga Guardiola. Vicente Del Bosque , Zinedine Zidane ndoqën stile të tjera dhe të gjithë fituan. Dhe jo vetëm një herë, por disa herë. Prandaj, mendoj se duhet ta vlerësojmë dhe respektojmë Guardiola-n për atë që bën si trajner.
Pa dyshim, ai është një nga trajnerët më të mirë në botë. Mënyra se si ai u kërkon lojtarëve të tij të luajnë është thjesht fantastike. Por kjo nuk do të thotë se është e vetmja mënyrë”,- tha në fjalët e tij, ish-“strategu” i mesfushës së Milan e Real Madrid. /i.m /