Sfida e titullit, tifozët e Milan-Inter në stadium për derbin

Share

Pas dhjetë vjetësh, derbi i Milanos vlen titullin kampion. Por, pas një viti me Covid-19, stadiumet vijojnë të mbeten të boshatisur. Milan-Inter, që do të luhet këtë të diel në orën 15:00 do të mund të ndiqet vetëm në lokale dhe restorante. Natyrisht duke respektuar masat e distancimit social dhe me maska.

 Gjithsesi, grupimet ultras të kuqezinjve dhe zikaltërve, po organizohen për një derbi anormal. Mbështetësit e Interit do të mblidhen prej orës 11 në poshtë tribunës së tyre në stadiumin “Meazza”.

Më pas do të jetë radha e tifozëve të Milanit, në orën 12:30, koha kur në stadium pritet të mbërrijë edhe autobusi i skuadrës së Piolit.

Udhëzimet për anëtarët e grupimit ishin të qarta. Të gjithë të pranishmit duhet të kenë me vete një flamur, shall apo çdo simbol të ekipit, që shërben për të krijuar atmosferën drithëruese të derbit, të cilën futbollistët nuk e përjetojnë prej një viti.

Gjithsesi, organizimi në mbështetje të skuadrës nuk mungoi, as në stërvitjen e fundit përpara supersfidës me Interin. Një delegacion me rreth 300 tifozë kuqezi u paraqitën në qendrën stërvitore të Milanellos, duke valvitur flamujt dhe me këngë motivuese për ekipin. Parulla e tyre ishte “90 minuta në sulm, derbi fitohet”.


Share

Komente