September 25, 2021

Sfidat e Kosovës për ta paditur Serbinë për gjenocid

Shpërndaje lajmin

Paditja e Serbisë për gjenocid, siç është paralajmëruar nga krerët e institucioneve në vend, do të jetë proces i vështirë. Sipas njohësve, Kosova ka sfida të mëdha për këtë çështje, duke filluar nga paditja e deri te bindja e gjykatës se Serbia ka kryer gjenocid. Për një proces të tillë, thonë se kanë filluar përgatitjet nga ekzekutivi.

“Do të ngremë padi ndaj krimit dhe gjenocidit të Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Serbisë”. Një paralajmërim të tillë përveç kryeministrit Albin Kurti, e kanë bërë edhe presidentja Vjosa Osmani e kryetari i Kuvendit, Glauk Konujufca.

Por, paditja e Serbisë për kryerjen e gjenocidit në Kosovë, sipas njohësve, do të jetë proces i vështirë e i gjatë.

Nga Fondi për të Drejtën Humanitare, thonë se duhet kujdes e përgatitje e mirë për hyrjen në këtë proces.

Amer Alija, nga ky fond, thotë se sfidues është plotësimi i kushteve për pranimin e padisë, e dokumentimi për ta bindur gjykatën se është kryer gjenocid.

“Në rast se Kosova e humb rastin apo nuk i plotëson kushtet formale, atëherë Kosova mund t`i japë autogol vetes duke i mundësuar Serbisë që të lobojë më shumë duke treguar që nuk kemi bërë krime të llojit të tillë”, ka thënë Alija, raporton Koha, përcjell Albinfo.ch.

Në anën tjetër, profesori i së Drejtës Penale, Ismet Salihu, thotë se Kosova është vonuar për ta bërë një gjë të tillë.

Sipas tij, vetëm për dokumentimin e krimeve të kryera në Kosovë duhet së paku 2 vjet kohë punë intensive.

“Duhet urgjentisht të themelohet, të krijohet një grup i ekspertëve në Kosovë, i juristëve, i penalistëve dhe të punohet në këtë drejtim në mënyrë që të mblidhen, të sistemohen, të dokumentohen të gjitha krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë”, është shprehur Salihu.

Lidhur me vështirësitë drejt këtij procesi, thonë se janë të vetëdijshëm nga Qeveria e Kosovës. Nga ky institucion kanë bërë të ditur se janë duke punuar në koordinimin e brendshëm e finalizimin e ekipeve që do të merren me këtë proces.

“Duhet pasur parasysh që procesi i paditjes së Serbisë për gjenocid, është proces i gjatë, i komplikuar dhe shumë i ndjeshëm. Si i tillë – natyrisht që do të marrë kohë – siç edhe e kemi thënë në vazhdimësi gjatë fushatës. Kemi filluar fazën e parë të përgatitjeve, e që konsiston në koordinimin tonë të brendshëm dhe finalizimin e ekipeve që do të merren me këtë proces. Padyshim që ndër hapat e parë do të jetë mbledhja e provave/dokumentimeve tashmë ekzistuese, të cilat janë mbledhur, përfshirë këtu materialet e rasteve relevante të gjykuara nga Tribunali i Hagës dhe nga gjykatat vendore. Vetëm pasi t’i kemi të gjitha këto në një vend, pastaj do të mund të vazhdojmë e të shohim cilat janë zbrazëtirat që duhet mbushur përmes mbledhjes së informatave në terren”, ka deklaruar zëdhënësja e Qeverisë, Rozafa Kelmendi.

Nga Qeveria, po ashtu, kanë thënë se pas përfundimit të konsolidimit të analizave të bëra nga Qeveria Hoti e Kurti I, për themelimin e Institutit për Krime të kryera, do të procedojnë edhe me diskutimin e miratimin e projektligjit për këtë institut.

Në luftën e fundit në Kosovë, sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare, janë vrarë rreth 13,500 persona.

 


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *