‘Shashka’ e PS-së: Kërkojmë shkarkimin e presidentit për shkelje të Kushtetutës

Shpërndaje lajmin

Një grup deputetësh socialistë ka zyrtarizuar një kërkesë në Kuvend për largimin  nga detyra të presidentit Ilir Meta, një kërkesë që kreu i shtetit e ka cilësuar si një shashkë që kërkon të largojë vëmendjen e publikut nga hetimi i krimit zgjedhor.

Meta duke folur për gazetarët. Foto: Malton Dibra/LSA

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla njoftoi nëpërmjet një konference për shtyp se ditën e premte është institucionalizuar kërkesa e më shumë se ¼ të deuputetëve në Kuvend, të cilët kërkojnë shkarkimin nga detyra të presidentit, Ilir Meta.

“Presidenti i Republikës, pëpara dhe gjatë fushatës zgjedhore ka kryer veprime që bien në kundërshtim me kushtetutën e vendit,” tha Balla.

“Presidenti ka vazhduar të kryejë veprime që bien në kundërshtim me frymën e ligjit dhe kushtetutës,” theksoi Balla, duke shtuar se në një rezolutë të miratuar në vitin 2019, Kuvendi i kishte kërkuar kreut të shtetit të kthehej në binarët e ligjit.

Kërkesa e deputetëve socialistë vjen pas deklaratave të përsëritura të kryesministrit Edi Rama, i cili ka theksuar se mazhoranca që ai udhëheq do ta shkarkojë Ilir Metën nga detyra, për atë që Rama e ka cilësuar si “degjenerim të figurës së presidentit.”

Rama i është referuar një serie deklaratash të bërë nga Meta gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, ku ai bëntë thirrje që mbështetësit e opozitës të bënin vetëgjyqësi me “sopota, lopata dhe sfurqe” nëse iu tjetërsohej vota.

Këto deklarata të Ilir Metës patën sjellë dhe përplasjen e tij me ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim, e cila i ka cilësuar thirrjet e kreut të shtetit si të ‘papranueshme”.

Edhe në qoftëse votohet nga parlamenti, vendimi shkarkimit të presidentit do të duhet të konfirmohet si i vlefshëm nga Gjykata Kushtetuese.

Ndërkohë, duke reaguar ndaj deklaratës së Taulant Ballës të dielën, Meta e cilësoi kërkesën e deputetëve për shkarkimin e tij si një shashkë që kërkonte të tërhiqte vëmedjen nga krimet zgjedhore.

“Detyrë e të gjithë subjekteve të ndjekin procesin deri në fund,” ka shkruar Meta në Facebook. “Mos u merrni me “shashka”, por me hetimin e krimeve zgjedhore,” shtoi ai.

Në qoftëse formalizohet, kërkesa për shkarkimin e Metës, do ishte e dyta e dorëzuar në parlament nga mazhoranca gjatë mandatit 5-vjeçar të kreut të shtetit.

Në vitin 2017 socialistët avancuan një kërkesë të ngjashme – duke ngritur një komision hetimor, pasi Meta vendosi të anulonte zgjedhjet vendore, një vendim që u injorua nga mazhoranca.

Por në korrik të vitit 2020, deputetët socialistë u tërhoqën nga tentativa e tyre për shkarkimin e Ilir Metës si president, duke votuar formalisht një raport në të cilin argumentonin se Meta kishte shkelur kushtetutën por se shkeljet nuk janë të mjaftueshme për të sjellë shkarkimin e tij.

Ky qëndrim u mbështet në një opinion të Komisionit të Venecias, i cili u vu në lëvizje nga mazhoranca socialiste.

Meta u zgjodh president me votat e Partisë Socialiste në vitin 2017-të, por bashkëjetesa politike e ish-kreut të LSI-së me mazhorancën e udhëhequr nga kryeministri Edi Rama ka qenë e vështirë dhe me përplasje të vazhdueshme.

Përpara fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit, Meta është përplasur me mazhorancën për dekretimin e anëtarëve të qeverisë në vitin 2018 dhe 2019, si dhe procedurat e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese.

Këto përplasje u intesifikuan gjatë fushtatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare, pas përfshirjes së presdienitit në deklarata me ngjyrim politik për procesin zgjedhor, ku Partia Socialiste u rikonfirmua si mazhorancë qeverisëse.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *