“SHBA është armiku ynë më i madh”, Kim Jong-Un zotohet: Do zgjerojmë arsenalin bërthamor të Koresë së Veriut

Share

Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong-un, ka deklaruar se SHBA është “armiku më i madh” i vendit të tij dhe se ai nuk pret që Uashingtoni të ndryshojë politikën e tij ndaj Pyongyang – kushdo që është president.

Sipas gazetës ndërkombëtare BBC, Kim Jon Un teksa fliste para kongresit të Partisë së tij të Punëtorëve në pushtet, u zotua se do të zgjerojë arsenalin dhe potencialin ushtarak të armëve bërthamore të Koresë së Veriut.

Lideri i Koresë së Veriut, u shpreh se planet për një nëndetëse bërthamore tashmë janë pothuajse gati. Komentet e tij vijnë teksa presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Joe Biden përgatitet të marrë detyrën zyrtarisht më 20 janar.

Sipas BBC, analistët sugjerojnë se deklaratat e Kim Jong-un janë një përpjekje për të ushtruar presion mbi qeverinë e ardhshme amerikane.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut kishte një raport të ‘ngrohtë’ me presidentin në largim të SHBA-së, Donald Trump, edhe pse shumë pak përparim konkret ishte bërë në negociatat mbi programin bërthamor të Koresë së Veriut.

Ky ishte Kongresi i tetë i partisë në historinë e saj. Kim Jong Un tha se vendi i tij nuk e ka ndërmend të përdorë armët bërthamore nëse “forcat armiqësore” nuk planifikojnë t’i përdorin ato më parë kundër Koresë së Veriut. Ky vend ka arritur të avancojë në mënyrë të konsiderueshme arsenalin, pavarësisht se i nënshtrohet sanksioneve të rrepta ekonomike.

Koreja e Veriut mbylli kufijtë e saj në janar të vitit 2020 për të parandaluar përhapjen e COVID-19, megjithëse pretendonte se nuk kishte raste me koronavirus. Tregtia me fqinjin dhe aleatin e saj Kinën ka rënë për rreth 80%.


Share

Komente