SHBA-ja sanksionon kolonë izraelitë për dhunën ndaj palestinezëve
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj tre kolonëve ekstremistë izraelitë në Bregun e pushtuar Perëndimor të cilët akuzohen se kanë sulmuar palestinezët dhe u kanë bërë presion që të largohen nga toka e tyre.
Dy ferma, që udhëhiqen nga kolonët izraelitë po ashtu janë sanksionuar. Ky vendim i SHBA-së ka të ngjarë që të rrisë edhe më shumë tensionet mes Uashingtonit dhe Izraelit lidhur me luftën në Gazë.
Që kur ka nisur lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, është rritur dhuna e kolonëve në Bregun Perëndimor.
“Sot, po ndërmarrim veprime të mëtejme për të promovuar llogaridhënie për ata që ushtrojnë dhunë dhe shkaktojnë trazira në Bregun Perëndimor”, tha përmes një deklarate zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller.
Në ueb-faqen e Departamentit amerikan të Thesarit, tre individët e sanksionuar u identifikuan si Zvi Bar Yosef, Neriya Ben Pazi dhe Moshe Sharvit. Ata u përshkruan si izraelitë në fillim të të 30-tave, të cilët jetojnë në Bregun Perëndimor.
LEXONI GJITHASHTU:
Shefi humanitar i BE-së: Asnjë provë nga Izraeli për të mbështetur akuzat e UNRWA