December 8, 2021
Shpërndaje lajmin

Duke shpërfillur paralajmërimet e ambasadores amerikane për të mos rimarrë drejtimin e Partisë Demokratike, Sali Berisha pretendoi se ai ka mbledhur mjaftueshëm firma për të thirrur një konventë partie dhe për të rrëzuar kryetarin e saj aktual.

Ish kryeministri dhe lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha | Foto nga : Malton Dibra/LSA

Ish-lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, të mërkurën pretendoi se kishte mbledhur mjaftueshëm firma për të provokuar zgjedhje të reja në parti, në një sfidë të qartë ndaj liderit aktual Lulzim Basha.

Njoftimi erdhi pasi ambasadorja amerikane në Shqipëri Yuri Kim paralajmëroi se Uashingtoni nuk do të bashkëpunojë me Partinë Demokratike, nëse Berisha kthehet në krye të saj.

Berisha u shpall persona non grata në SHBA nga Departamenti i Shtetit në maj, i cili përmendi përfshirjen e tij në “korrupsion madhor”, “shpërdorim të fondeve publike” dhe ndërhyrje në “proceset publike”.

Lëvizja e Berishës vjen në një kohë trazirash të brendshme për partinë, e cila përjetoi një humbje të tretë radhazi të paprecedentë në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në prill.

Të mërkurën, ai informoi gazetarët se kishte mbledhur “më shumë se mjaftueshëm nënshkrime të delegatëve” për të thirrur një konventë partie që ai dëshiron të mbahet më 8 dhjetor, për të shënuar simbolikisht ditën në 1991 kur Partia Demokratike u themelua si partia e parë e re politike pas më shumë se 45 vjet sundim të hekurt komunist.

“Kjo konventë do t’i japë Shqipërisë opozitën më fitimtare që ka pasur ndonjëherë”, tha ai për mediat.

Berisha ka qenë i përfshirë në disa takime në të gjithë vendin që kur u pezullua nga grupi i PD-së në shtator, nën presionin e Shteteve të Bashkuara.

Ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim paralajmëroi se SHBA-ja, një aleat kyç i vendit, nuk do të bashkëpunojë me një parti të drejtuar prej tij.

“Nuk do të angazhohemi me askënd që është shpallur nga Sekretari i Shtetit. Kjo është një politikë për mbarë botën dhe nuk ka fare të bëjë me individët, por politika e përgjithshme është që nuk mund të imagjinojmë një skenar ku unë apo ndonjë nga pasardhësit e mi të pretendojmë se çdo gjë shkon mirë dhe të shkojmë për kafe me dikë që është shpallur nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor. Nuk ka për të ndodhur”, tha Kim të mërkurën për TV Top Channel në Tiranë.

Edhe Partia Demokratike e komentoi njoftimin e Berishës. Sekretari i Përgjithshëm Gazmend Bardhi këmbënguli se Berisha nuk kishte “mbledhur një të katërtën e nënshkrimeve që duheshin” dhe tha se nuk do të mbahet asnjë konventë.

“Ajo që pamë sot ishte një tallje e madhe me demokratët. Partia Demokratike është një parti që funksionon në bazë të statutit të saj”, nënvizoi Bardhi.

Megjithatë, problemet e Bashës po shtohen. Ai u përball me zemërimin e Forumit Rinor dhe Lidhjes Demokratike të Gruas të partisë pasi njoftoi se të dy forumet do t’i nënshtrohen zgjedhjeve të reja. Kreu i Forumit Rinor, Belind Kelliçi, nuk e njohu vendimin e Bashës, duke iu bashkuar radhëve të Berishës.

I njëjti skenar ndodhi edhe me Forumin Demokratik të Gruas ku thirrja e Bashës për zgjedhje të reja shkaktoi rezistencë nga drejtuesja e forumit Albana Vokshi. Ajo e quajti vendimin e Bashës “arbitrar, uzurpues – dhe i bërë në mënyrë qesharake përmes një telefonate”.

Në mandatin e mëparshëm të qeverisë Socialiste, Partia Demokratike bojkotoi parlamentin për më shumë se dy vjet. Megjithatë, ajo mori pjesë në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit, duke humbur ndaj socialistëve. Rezultati ishte hera e parë që një parti në Shqipëri fitoi mandatin e tretë radhazi.

Berisha, tani 77 vjeç, ishte presidenti i parë i Shqipërisë i zgjedhur në mënyrë demokratike nga viti 1992 deri në 1997, por sundimi i tij u karakterizua nga shkelje të të drejtave të njeriut dhe manipulime zgjedhore.

Ai ra nga pushteti pasi skemave piramidale, për të cilat qeveria nuk arriti t’i paralajmëronte njerëzit dhe t’i mbikëqyrte siç duhet. Sundimi i tij përfundoi në trazira publike.

Ai u kthye në pushtet si kryeministër pasi Partia e tij Demokratike fitoi zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2005, duke rifituar besimin e njerëzve të lodhur nga sundimi i korruptuar i Partisë Socialiste në pushtet. Mandati i tij në detyrë u shoqërua nga disa skandale me anëtarët e familjes së tij, por asnjë akuzë nuk u ngrit.

Berisha humbi zgjedhjet parlamentare të 2013 përballë liderit socialist Edi Rama dhe dha dorëheqjen si kreu i Partisë Demokratike, por mbeti një figurë e fuqishme në parti.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *