October 23, 2021

SHBA po ndihmon Indinë në situatën e rëndë me Covid-19

Shpërndaje lajmin

Kryeministri i Indisë Narendra Modi u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të vaksinohen dhe të kenë kujdes, duke thënë se “stuhia” e infeksioneve ka tronditur Indinë.

India ka vendosur një rekord të ri global për numrin më të madh ditor të infeksioneve me COVID -19.

Shtetet e Bashkuara thanë se do të sigurojnë menjëherë lëndë të parë për një nga vaksinat që prodhohen në Indi, pajisje mjekësore dhe pajisje mbrojtëse për të ndihmuar Indinë. Franca, Britania dhe Gjermania gjithashtu premtuan mbështetje të shpejtë.

Numri i rasteve në Indi u rrit me 349,691 në 24 orët e fundit, dita e katërt me radhë e rekordeve. Spitalet në Delhi dhe në të gjithë vendin po i largojnë pacientët pasi nuk kanë oksigjen mjekësor dhe shtretër.

Qeveria e Kryeministrit Modi është përballur me kritika se e uli vigjilencën në fillim të këtij viti, lejoi tubime të mëdha fetare dhe politike kur rastet po binin dhe nuk planifikoi fuqizimin e sistemeve të kujdesit shëndetësor.

Spitalet dhe mjekët kanë dhënë alarmin duke thënë se nuk janë në gjendje të përballojnë numrin e pacientëve.

 

SITUATA NË INDI

India, një vend me 1.3 miliardë njerëz, ka regjistruar gjithsej 16.96 milion infeksione dhe 192,311 vdekje nga koronavirusi, ndërkohë që 2,767 të tjerë vdiqën gjatë natës së djeshme, tregojnë të dhënat e ministrisë së shëndetësisë.

Vetëm në muajin e fundit, rastet e përditshme janë rritur tetë herë ndërsa vdekjet 10 herë. Ekspertët shëndetësorë thonë se numri i vërtetë i vdekjeve është ndoshta shumë më i lartë.

“Zemrat tona i drejtohen popullit indian në mes të shpërthimit të tmerrshëm të COVID-19s”, tha Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken në Twitter.

Shtetet e Bashkuara janë përballur me kritika në Indi për kontrollet e eksportit të lëndëve të para për vaksinat dhe një embargo të eksportit në muajin shkurt.

Instituti Serum i Indisë (SII), prodhuesi më i madh i vaksinave në botë, këtë muaj i kërkoi Presidentit Joe Biden të heqë bllokadën e eksporteve të lëndëve të para që po pengon aftësinë e institutit për të rritur prodhimin e vaksinave.

Të dielën, Shtëpia e Bardhë tha se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë lëndë të parë të nevojshme për Indinë për të prodhuar Covishield, vaksinën AstraZeneca të licencuar nga Instituti Serum. SHBA gjithashtu do të dërgojnë mjete terapeutike, komplete testimi të shpejtë, ventilatorë dhe pajisje mbrojtëse për punonjësit e vijës së parë.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *