Shenur Saciri, menaxher i pallatit të njohur të eventeve në Linz

Share

shenur saciri1

Shenur Saciri është 31-vjeçar dhe ka një biografi mjaft interesante për moshën e tij. Kjo ngase perspektiva e qasjes së personalitetit të tij ka të tjera dimensione. Ai është me prejardhje nga Presheva dhe prej vitesh jeton dhe vepron në Austri, aty ku edhe e ka përfunduar shkollimin e tij. Që në moshë të re është punësuar, për t’u bërë i pavarur dhe për të fituar eksperienca të ndryshme në jetën e tij.

“Jam nga Presheva, 31-vjeçar. Jetoj në Marchtrenk (Landi: Wels) dhe prej moshës njëvjeçare kam ardhur në Austri. Këtu kam përfunduar gjithë shkollimin ndërsa në moshën 17-vjeçare jam punësuar si shitës i telekomit. Aty kam përfunduar tre vjet praktikë pune (Lehre)”, shprehet Shenuri.

30 vjet të frytshme në Austri

Shenuri ka 30 vjet që jeton në Austri. Përveç shkollimit ai këtu ka pasur një fëmijëri të mirë dhe të shëndetshme në shoqërinë austriake. Siç dëshiron ta theksojë, nuk ka pasur asnjëherë diskriminim në lidhje me prejardhjen e tij si emigrant.

“Fëmijërinë e kam përjetuar shumë mirë këtu. Në shoqërinë time s’ka pasur asnjë diskriminim, përkundrazi, kam pasur raporte shumë të mira me të gjithë”, thotë ai.

Po ashtu, për të, nuk ka qenë aspak i vështirë depërtimi në Austri, pasi që dihet botërisht se ky shtet ofron mundësi të mira për të krijuar një histori suksesi në profesionin që ndjek. “Nëse je i aftë dhe i suksesshëm, nuk është aspak e vështirë të arrish qëllimin tënd në Austri. Kjo ngase kam shumë vite punë dhe përvojë, veçmas në fushën e menaxhimit”, shprehet ai.

Falë punës së tij të përpiktë dhe me etikë, Saciri mori një ofertë punësimi nga personeli i një nga objektet më të njohura për evente dhe manifestime në Linz, ku tash e sa vite vazhdon të jetë pjesë e njërës nga kompanitë më të mira në gjithë Austrinë.

Menaxher i “Hofburgut të vogël”

Shenur Saciri që nga viti 2016 ka punuar në objektin e njohur të quajtur “Palais Kaufmänischer Vereins”, pallat ky që shquhet për evente dhe organizme të veçanta.  “Palais Kaufmänishcer Vereins” njihet edhe si “Hofburgu i vogël” dhe është pallati me i njohur i eventeve në Linz. Ai ka shtatë salla të bukura në stilin barok të kombinuar me modernen dhe është vendi ideal për seminare, mbrëmje gala dhe ahengje private.

Shenuri në këtë pallat, punën e parë e ka bërë si teknik dhe pas një kohe të shkurtër fitoi pozitën si menaxher i këtij objekti.

“Detyra ime si menaxher është organizimi i çdo eventi sipas kërkesave të klientëve deri në detaje, që këta të fundit të ndahen të kënaqur dhe të jenë të lumtur për eventet e tyre.

Duhet theksuar se në këtë pallat organizohen ngjarjet të rëndësishme, kulturore, arsimore, politike, e po ashtu edhe familjare të Austrisë. Nuk është e rastit që ky objekt është kaq i kërkuar, sepse Saciri si menaxher, me punën e tij, bën organizime unike, me shije dhe ngjyrime emocionale që secili i pranishëm të ndihet mirë dhe i impresionuar me rehatinë që ofron ky pallat.

“Bizneset kryesore në këtë pallat si qendër konvencionale e kongreseve, janë organizime të lloj-llojshme “Medicinale”, “Pharmaleutike” apo edhe “Industrialo-teknike”. Pastaj radhiten seminare të ndryshme, workshop’s, festivale, dasma, teatro, koncerte, festa si dhe ekspozime të llojeve të ndryshme internacionale. Gjithashtu kemi organizime edhe me njerëz të famshëm, si politikanë, vip´s, muzikantë, por edhe persona tjerë, jo të famshëm”, shprehet ai.

Koncerte dhe organizime unike edhe për diasporën shqiptare

Duke qenë se ky pallat ofron të gjitha llojet e eventeve, padyshim që diaspora shqiptare shquhet për organizime të ndryshme, si për ahengje familjare, ashtu edhe për festat kombëtare.

“Në pallatin tonë dasmat janë shumë të kërkuara, pastaj kemi pasur edhe koncerte shqiptare me këngëtarë të ndryshëm të estradës shqiptare si Sabri Fejzullahu, Sinan Vllasaliu, Meda, Dafina Zeqiri, Capital T, Majk, e shumë të tjerë. Po ashtu vazhdojmë të kemi organizime politike të figurave të ndryshme, në lidhje me shqiptarët. E fundit ka qenë një pjesëmarrje e z. Begjet Pacolli”, tregon Saciri.

Duke qenë se Shenur Saciri është atdhedashës, ai dëshiron të punojë sa më shumë me shqiptarë, lidhur me organizimet, sukseset dhe depërtimet e tyre në karrierë.

“Ëndrra ime është të kemi sa më shumë organizime shqiptare që të bashkëpunojmë me të gjithë shqiptarët kudo që janë dhe të depërtojnë sa ma shumë në Austri, sepse jemi një. Duam të ofrojmë që njerëzit tonë në diasporë të ndjehen sa më afër atdheut së bashku me familjet e tyre”.

Kjo sepse sipas tij, çdo shqiptar në diasporë ka sakrifikuar shumë për arritjet që sot i gëzojnë ata dhe kjo e bën edhe më të dhënë për suksese tjera personale që pretendon t’i arrijë në të ardhmen.

shenuri2

Box

Filloi si teknik, u bë menaxher

Shenuri në këtë pallat, punën e parë e ka bërë si teknik dhe pas një kohe të shkurtër fitoi pozitën si menaxher i këtij objekti. “Prej vitin 2016 punoj në këtë objekt”. Detyra ime si menaxher është organizimi i çdo eventi sipas kërkesave të klientëve deri në detaje, që këta të fundit të ndahen të kënaqur”.

Box 2

Në dispozicion të bashkatdhetarëve

“Ëndrra ime është të kemi sa më shumë organizime shqiptare që të bashkëpunojmë me të gjithë shqiptarët kudo që janë dhe të depërtojnë sa ma shumë në Austri, sepse jemi një. Duam të ofrojmë që njerëzit tonë në diasporë të ndjehen sa më afër atdheut së bashku me familjet e tyre”.

shenur saciri3
Salla e eventeve “Palais Kuafmänischer Verein”

 


Share

Komente