Shërbim non stop në 4 qendra shëndetësore/ Urgjencat pediatrike nga virozat, mjekët lehtësojnë fluksin në QSUT
Fluksi i shtuar i fëmijëve të prekur nga virozat e stinës ka bërë që Ministria e Shëndetësisë katër qendra shëndetësore në Tiranë ti kthejë në shërbim 24 orësh përgjatë shtatë ditëve të javës.
Qendra shëndetësore numër gjashtë në Kombinat, shtata në Laprakë, teta tek sheshi “Wilson” dhe dhjeta pranë zonës së oxhakut do të presin urgjencat pediatrike gjatë orëve të natës dhe të shtunave e të dielave.
“ Shërbimi i pediatrisë i përfshinë të tria turnet, brenda turnit të parë janë tre mjekë, turnit të dytë tre mjekë dhe të tretë një mjek që është roje”, u shpreh mjekja Elda Spahiu.
Për të reduktuar kohën e pritjes në urgjencën pediatrike të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe për të mos i ekspozuar fëmijët ndaj infeksioneve të tjera mjekët e qendrave shëndetësore apelojnë për ti dërguar të vegjlit fillimisht tek ta.
“Në fakt këtu bëhet njëlloj si në pediatri tek QSUT, konsulta me një mjek pediatër, pasi e ekzaminojmë vendosim për mjekimin. Nëse konstatojmë se është diçka që duhet mbuluar nga shërbimi spitalor terciar atëherë e referojmë. Kemi dhe dhomën e injeksioneve dhe rehidrimit nëqoftëse e konstatojmë se do të bëjë injeksione qoftë intramuskularë apo intravenoze patjetër që i referojmë aty”, theksoi mjekja Spahiu.
Virozat në qarkullim sipas mjekëve po shoqërohen me temperaturë të lartë dhe kollë të fortë më gjatë se zakonisht.
“Simptomatika me të cilën vijnë është më e rendë krahasuar me muaj më përpara. Temperatura ka filluar te jetë më agresive, paraqitet ne shifra më të larta, dhe nga ana tjetër kjo pjesa e kollës që zgjat, vështirësi në frymëmarrje, hundë të zëna, gjendje letargjike karakteristike e zakonshme në gjendje virale”, tha ajo.
Sipas mjekëve nuk kanë munguar as rastet kur të vegjlit janë prekur nga dy viroza në të njëjtën kohë duke i rënduar shëndetin dhe duke I zgjatur kohën e shërimit.
/ /